Akuzohet se dëmtoi buxhetin rreth 20 mijë euro, ish-drejtori i Administratës në Prizren kërkon hudhjen e aktakuzës

GJ.Prizren (1)
Author

Raporton: Avni BERISHA

Dhjetor 12, 2019

Prizren – Ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza, e cila e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Baldedaj, akuzohet se më 13 maj 2018, e deri më 22 maj 2018 , në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin në mënyrë të kundërligjshme ka bërë shpërndarjen e pasurisë jo financiare, laptopë dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19.350.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e shqyrtimit të dytë, të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Baldedaj, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Visar Haxhibeqiri, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet poshtë si e pabazuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Baldedaj, avokati Haxhibeqiri tha se qëndron pranë parashtresës për hudhjen e aktakuzës dhe për kundërshtimin e provave të datës 19 nëntor 2019.

Mirëpo, prokurori Metush Biraj, deklaroi se nuk qëndrojnë pretendimet e avokatit mbrojtës për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës sepse sipas tij, gjatë hetimeve të gjitha provat janë mbledhur në mënyrë të ligjshme, andaj ai i ka propozuar gjykatës që të procedojë me këtë çështje penale.

Pas dëgjimit të palëve, gjykatësi Xheladin Osmani, ka thënë se brenda afatit ligjor do të nxjerr aktvendim të posaçëm për kërkesat e palëve.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 28 tetor të këtij viti, Baldedaj ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Baldedaj, akuzohet se me 13 maj 2018,  e deri më 22 maj 2018 , në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jo financiare, laptop dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizata buxhetore.

Në aktakuzë thuhet se për tre laptop të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19.350.00 euro.

Ndryshe, Ilir Baldedaj edhe në një rast tjetër akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai më 25 maj të vitit 2018, si ish-drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, në rastin ku akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale.  /BetimipërDrejtësi