AKUZOHET NJË DREJTOR I KOMUNËS SË SUHAREKËS, PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit Sylejman Hoxha, i cili akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, si drejtor i Drejtorisë për Shërbime Pronësore-Juridike në Komunën e Suharekës.
Prokurorja Ervehe Gashi, ka lexuar aktakuzën, ndërsa i akuzuari nuk e ka pranuar veprën penale me të cilën ngarkohet me aktakuzë.
Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka njoftuar mbrojtjen se deri në shqyrtimin e dytë kanë të drejtë që të parashtrojnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave mbi të cilat bazohet aktakuza, të cilin shqyrtim e ka caktuar për 26 prill 2016, në ora 10:00.
Më 24 shkurt 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë me të cilën, të akuzuarin Sylejman Hoxha e akuzon se duke qenë drejtor i Drejtorisë për Shërbime Pronësore-Juridike në Komunën e Suharekës, tejkalon autorizimet e tij dhe nënshkruan kontratën me firmën “UNICOM”, për shfrytëzimin e një parcele, me qëllim të vendosjes së mjeteve të punës gjatë kohës sa do të ndërtohej objekti afaristo-banesor “Gradina”, e për të cilat veprime, sipas organit të akuzës, është dashur të merr pëlqim nga ana e Kuvendit Komunal të Suharekës dhe të ndjek procedurat ligjore, me ç’rast është pamundësuar marrja pjesë në garat sportive e klubit futbollistik “Ballkani” në Suharekë.