AKUZOHET I BIRI PËR VRASJEN E BABAIT NGA PAKUJDESIA

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Leutrim Gashi akuzohet se ka vrarë nga pakujdesia, babin  e tij, Zeni Gashi, gjatë një konflikti me bashkëfshatarët e tij, nga fshati Atmaxha të komunës së Prizrenit.

Në këtë rast, Harbin Gashi, Jaser Gashi, Samet Gashi dhe Gani Gashi, akuzohen për lëndim të lehtë trupor, ndërsa Leutrim Gashi akuzohet për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje.

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur seanca e radhës ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Harbini, Jaseri, Sameti dhe Ganiu, akuzohen se gjatë një mosmarrëveshje në mes Harbin Gashit dhe Luan Gashit, i kanë rrahur të dëmtuarit Luan dhe Lirim Gashin, duke u shkaktuar atyre lëndime të lehta trupore.

Ndërsa Leutrim Gashi, djali i xhaxhait të të dëmtuarve, akuzohet se pas përfundimit të konfliktit, përderisa familjet ishin duke diskutuar çështjen, ka gjuajtur, pa kontroll, me armën automatike Ak 47, me ç’rast ka vrarë babin e tij dhe ka plagosur vëllain e tij, Flamur Gashi.

Sipas aktakuzës, të cilën e përfaqëson prokurori Metush Biraj, në momentin kur ka gjuajtur Leutrimi me armë, ka qenë disa metra prapa prindit dhe vëllait të tij, të cilët ishin afër derës së familjes në konflikt.

Në këtë rast, Harbin Gashi ka pranuar veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, poashtu Leutrim Gashi ka pranuar veprën penale të armëmbajtjes pa leje, por nuk ka pranuar vrasjen nga pakujdesia.

Lënda për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia, për të akuzuarin Leutrim Gashi, që ka për avokat Rexhep Hasanin, është veçuar dhe do të vazhdojë pasi të bëhet super-ekspertiza.

Në seancën e së martës janë marrë në pyetje të akuzuarit, Samet dhe Gani Gashi.

Samet Gashi ka thënë se rreth orës 21:30, ka dëgjuar disa zëra nga shtëpia e tij dhe kur ka dalur në rrugë, ka parë se Harbini dhe Luani po përlesheshin me grushta.

Tutje ka shtuar se ai me vëllain e tij. Emrullahun, kanë intervenuar, i kanë ndarë dhe e kanë marrë Harbini e kanë futur në dyqan. Ndërsa Luani me Lirimin dhe të tjerët që kanë qenë me ta, kanë shkuar në shtëpi.

Sipas tij, më vonë, deri sa ishte në fermën e tij, në periferi të katundit, kishte dëgjuar krisma dhe kur ishte kthyer në shtëpi, kishte kuptuar se ishte vrarë i ndjeri, Zeni Gashi.

Ky i pandehur ka mohuar t’i ketë goditur të dëmtuarit Luan dhe Lirim, ashtu siç ata pretendojnë dhe ka shprehur keqardhje për rastin dhe humbjen që ka ndodh.

I akuzuari tjetër, Gani Gashi, në konsultim me avokaten e tij, Hana Cana, ka vendosur që të mbrohet në heshtje, me arsye se nuk ka qenë fare në ngjarje dhe nuk ka çka të dëshmojë.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka ndërprerë shqyrtimin dhe seancën e radhës e ka caktuar për 3 gusht 2016, në ora 13:00, ku do të paraqiten fjalët përfundimtare nga palët.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë