Akuzohen se dëmtuan buxhetin mbi 2 milionë euro, lënda kalon në Departamentin Special por që seanca e rigjykimit nuk është caktuar nga dhjetori i 2019-ës

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Që nga dhjetori i 2019-ës, kur Gjykata e Apelit e ka kthyer  në  rigjykim rastin ndaj të akuzuarve Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Besnik Ferizi, Faton dhe Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, gjykata e shkallës së parë ende nuk ka caktuar seancë dhe ky rast tani ka kaluar në Departamentin Special të kësaj gjykate.

Ky lajm është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi”, nga zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ajo ka thënë se për këtë lëndë tani është ngarkuar gjyqtarja e Departamentit Special, Shadije Gërguri.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se lënda ku i akuzuar është SH.F etj, tani mbanë numrin … dhe me këtë lëndë është e ngarkuar gjyqtarja Shadije Gërguri.”  tha Gashi për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, që nga kthimi i rastit në rigjykim nga Gjykata e Apelit e deri më sot kanë kaluar 718 ditë apo gati 2 vite pa u caktuar seanca e rigjykimit.

Sipas Gashit, seanca gjyqësore e rigjykimit për këtë rast pritet të caktohet së shpejti.

“Deri me tani nuk është caktuar asnjë seancë gjyqësore edhe pse lënda është kthyer në rigjykim, mirëpo pritet që seanca gjyqësore lidhur me këtë rast të caktohet së shpejti”, ka thënë Gashi në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, të akuzuarit e lartcekur po akuzohen për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar dhe keqpërdorim, e po ashtu se i shkaktuan buxhetit të Kosovës, dëm në shumë prej 2,441,927,71 euro.

Kjo lëndë edhe në gjykimin e parë është gjykuar nga gjykatësja Shadije Gërguri, por pas kthimit të rastit në rigjykim, lënda i është ndarë në punë gjykatësit Naser Foniqi, meqenëse gjykatësja Gërguri kishte kaluar në Departamentin Special.

Më 11 mars 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë,  kishte dënuar me burgim me kusht nëntë të akuzuarit për krim të organizuar: Shaip Ferizin, Shqipe Avdiun, Arben Jasharin, Mustafë Vitinë, Mexhid Mustafën, Besnik Ferizin, Faton dhe Arsim Topanicën si dhe Ajdar Jasharin.

Aktgjykimi ishte shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri.

Trupi gjykues të akuzuarin Shaip Ferizi e kishte dënuar me dy vite burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër penale brenda pesë viteve.

Të njëjtit i ishte konfiskuar një set me ngjyrë të zezë me çelës, me shumën e të hollave prej 4.179, një “Audi 8E” si dhe lejen e qarkullimit të këtij automjeti, dy vula të falsifikuara, dy vetura si dhe shuma e të hollave prej 20.055,58 euro.

E akuzuara Shqipe Avdiu ishte dënuar me dy vite burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse ajo brenda katër viteve nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, si dhe i është konfiskuar shuma prej 5.086,75 euro.

I akuzuari Arben Jashari ishte dënuar me dy vite burgim me kusht, ku edhe dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër penale brenda pesë viteve si dhe i ishin konfiskuar dy vetura.

Me dy vite burgim me kusht ishte dënuar edhe i akuzuari Mustafë Vitia, ku edhe ndaj tij nuk do të ekzekutohet ky dënim, nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, ku pos dënimit me kusht atij i është konfiskuar edhe shuma prej 231,00 euro, dhe një automjet.

Njëjtë si i akuzuari Vitia, ishte dënuar edhe të akuzuarit Mexhid Mustafa dhe Ajdar Jashari.

Pos dënimit me kusht, Mustafës i janë konfiskuar edhe shuma prej 1.409,00 euro, ndërsa të akuzuarit Jashari shumat prej 50.000 euro, 60.400 euro, 586,50 euro si dhe një automjet.

Besnik Ferizi dhe Arsim Topanica ishin dënuar me dy vite burgim me kusht, dënimi ndaj të cilëve nuk do të  ekzekutohet nëse nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale brenda katër viteve.

Të akuzuarit Ferizi i ishte konfiskuar një veturë, ndërsa të akuzuarit Arsim Topanica,  dy kombi, dhe librezat e qarkullimit, si dhe dy automjete.

Ndërkaq, i akuzuari Faton Topanica ishte dënuar me një vit burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër penale brenda dy viteve.

Mirëpo, ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit kishin ushtruar ankesë mbrojtësit e të akuzuarve me c’rast me 18 dhjetor 2019 kjo gjykatë ka aprovuar ankesat e tyre si dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.

Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2,441,927,71 euro.

Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “shmangie nga pagesat e detyrimeve”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë