Prizren, 10 shkurt 2016 – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte paraparë të mbahej seanca e radhës ndaj të akuzuarave Myvedete Gavazaj dhe Shpresa Hasanaj-Kryeziu, të cilat akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por seanca nuk është zhvilluar për shkak se dëshmitarët e paraparë për këtë seancë nuk e kanë pranuar ftesën e gjykatës. Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj ka njoftuar se gjykata ka vendosur që seanca të shtyhet për 22 shkurt 2016.
Prokuroria Themelore në Prizren akuzon Myvedete Gavazaj dhe Shpresa Hasanaj-Kryeziu, se ato kanë përdorur lidhjen e tyre familjare, pasi që janë motra, për të përfituar të mira materiale, në mënyrë të paligjshme, në atë mënyrë që e akuzuara Shpresa Hasanaj-Kryeziu si profesoreshë në shkollën e mesme ekonomike në Prizren, për një periudhë prej tre muajsh, nuk i ka mbajtur disa orë mësimore, ndërsa e akuzuara tjetër Myvedete Kavazaj si drejtoreshë e të njëjtës shkollë e ka lejuar të ndodhë një parregullsi e tillë. Prokuroria pretendon se të akuzuarat, duke keqpërdorur detyrën i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 700 eurosh.