Akuza për korrupsion ndaj Zharkut, dëshmitari thotë se ka dëgjuar se objekti kontestues në vitet 70’ta ishte pronësuar nga komuna

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj- Dëshmitari Elham Bunjaku ka thënë se ka dëgjuar që objekti kontestues ishte pronësuar nga Komuna e Kaçanikut nga kooperativa bujqësore diku rreth viteve 1973-1974.

Këtë deklaratë, Bunajku e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku ka vazhduar gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku. Ky i fundit  ngarkohet se ka dhënë në shfrytëzim pronën e komunës në kundërshtim me ligjin dhe nuk ka lejuar avokatin e Komunës të bëjë ankesë ndaj një aktgjykimit të Gjykatës e cila ia kishte njohur të drejtën e pronës komunale një personi privat.

Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut, Raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në pyetjet e prokurorit Rasim Maloku, dëshmitari Elham Bunjaku është përgjigjur, i njëjti ka deklaruar se për këtë rast ka dhënë deklaratë në cilësi të dëshmitarit.

Dëshmitari Bunjaku tha se pyetjet në prokurori i janë parashtruar rreth objektit për të cilin bëhet fjalë në këtë procedurë gjyqësore.

“Ky objekt gjendet në Kaçanik afër gjykatës dhe shkollës fillore “Emin Duraku”, para luftës në Kosovë, në këtë vend kanë qenë disa objekte të vogla për biznese”, ka thënë dëshmitari Bunjaku

Prokurori Maloku, të njëjtin e ka pyetur se kjo pronë e kujt ka qenë, dëshmitari tha se ka qenë në pronësi të Komunës së Kaçanikut.

“Unë e di që në Komunën e Kaçanikut ka funksionuar edhe një kooperativë bujqësore e quajtur “Ramadan Agushi”. Unë kisha dëgjuar se kjo kooperativë ka të drejtë pronësie, pastaj pas lufte unë personalisht kam kontaktuar drejtorin e kësaj kooperative i cili më ka njoftuar se vendi ku ishin ato objekte, përafërsisht gjatë viteve 1973-1974, kanë dal në pronësi të Komunës së Kaçanikut” ka rrëfyer dëshmitari Bunjaku

Dëshmitari Elham Bunjaku tha se në atë kohë ka qenë pronar i firmës NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik.

“Kjo firmë është marrë me ndërtim, unë pata dëgjuar që në disa komuna të Kosovës janë duke u dhënë prona me kompenzim, dhe për këtë isha i interesuar se mos kjo situatë do të ndodhë edhe në komunën e Kaçanikut” ka thënë tutje dëshmitari

I njëjti tha se kishte paraqitur kërkesë për atë pronë e cila ishte në pronësi të komunës së Kaçanikut që t’i mundësohej që në atë pronë të ndërtonte me kompenzim.

Ashtu që, sipas dëshmitarit Bunjaku, komuna e Kaçanikut kishte marrë vendim që dëshmitarit t’i ipej kjo parcelë në kompenzim në atë mënyrë që komuna do të fitonte 20% në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN“Çlirimtarët“

“Ne kemi qenë të pakënaqur me këtë përqindje, andaj kemi paraqitur ankesë e cila është refuzuar nga ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku” tha dëshmitari Elham Bunjaku

Prokurori Rasim Maloku tha pasi që kishte një kontratë në mes komunës së Kaçanikut dhe dëshmitarit Bunjaku, këtë të fundit e ka pyetur se a ka pas ndonjë shpallje publike nga ana e kësaj komune, dëshmitari Bunjaku tha se nuk e di dhe se nuk ka njohuri për këtë rrethanë.

Ndërsa, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitarët Bekim Troni dhe Bashkim Topojani, mirëpo për shkak të angazhimeve profesionale të prokurorit Rasim Malolu, i cili duhej të ishte në një seancë tjetër të vrasjes së rëndë në orarin e pasditës, kjo seancë është ndërprerë dhe u shty për kohë të pacaktuar.

Lidhur me këtë rrethanë të krijuar, kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi tha se për seancë të radhës palët do të njoftohen me ftesë të rregullt.

Ndryshe,”I pandehuri Xhabir Zharku ngarkohet se se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, si person zyrtar– Kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e Komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20%të në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN“Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, i cili ka qenë në fuqi.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, më 11 shkurt 2010 në Kaçanik, si person zyrtar– Kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale numër 03/1.-040, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Komunale në Kaçanik, në çështjen civile të paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin kundër të paditurës Komuna e Kaçanikut, për vërtetimin e së drejtës të shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë, kishte urdhëruar avokatin publik të Komunës së Kaçanikut, Fitore Krivanjeva – Daci që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.246/09 të 29 janar 2010.

Me këtë aktgjykim, thuhet se paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin, iu ka njohur e drejta e shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë e evidentuar si parcela kadastrale numër 650/03, me sipërfaqe 0.30,43 ha, e evidentuar në fletën poseduese numër 86 Komuna Kadastrale Kaçanik, e cila paluajtshmëri ka qenë pronë shoqërore në emër të Komunës së Kaçanikut.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së.

Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë