Aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për vjedhje të rrymës

IMG_0165
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shkurt 14, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për vjedhje të rrymës, Safet Aliu.

Një aktgjykim i tillë është shpallur nga gjykatësi Avni Syla, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë është tërhequr nga aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tërheqjen nga aktakuza, prokurorja Edina Jupolli, e ka arsyetuar me faktin se dëshmitari Enver Aliu, në seancën e 13 shkurtit, kishte deklaruar se vetë kishte keqpërdorur energjinë elektrike.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 22 janar, prokurorja Jupolli ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “vjedhje e shërbimeve komunale” e kodi të vjetër në “vjedhje e shërbimeve” më kodin e ri, me arsyetimin se kodi i ri është më i favorshëm për të akuzuarin.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 11 janar 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Safet Aliu, të cilin e akuzon se më 13 janar 2016, në Hajvali në Prishtinë, gjatë kontrollit nga punëtorët e autorizuar të KEDS-it, është konstatuar se i akuzuari me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të laujtshme dhe që vetit t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, ka shfrytëzuar energjinë elektrike.

Siç thuhet në aktin akuzues, i akuzuari e ka furnizuar katin e dytë jashtë pikës matëse, ashtu që lidhjen e ka bërë në murin e shtëpisë, duke dëmtuar kabllin furnizues, ku energjia elektrike e shpenzuar nuk është regjistruar, duke shkaktuar dëm prej 13, 98 euro, me ç’rast të dëmtuarës KEDS gjithsej i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 622.48 euro. /Betimipërdrejtësi