Aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për kanosje, pasi i dëmtuari tërhiqet nga ndjekja penale

unnamed
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Nëntor 8, 2018

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj, të enjten, ka marrë aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për kanosje, Mumin Hyseni.

I dëmtuari Samed Rudari, në fillim të seancës propozoi gjykatës që të merr aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit Hyseni, sepse me të njëjtin nuk kishin pasur më ndonjë mosmarrëveshje tjetër dhe për këtë ai nuk dëshiron ta ndjek penalisht.

Gjykatësi i rastit, Adem Shabani, pas propozimit të të dëmtuarit shpalli aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit, Mumin Hysenit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Mumin Hyseni, akuzohet se më 2 gusht 2018, rreth orës 13:50, në Ferizaj, afër urës për në Gjilan, me qëllim të frikësimit ka kanosur të dëmtuarin Samed Rudarin.

Sipas aktakuzës, deri tek kanosja ka ardhur për shkak se të dy merren me veprimtari të njëjtë  e cila është riciklimi e letrës dhe plastikes, dhe për shkak të konkurrencës i akuzuari për ta penguar të dëmtuarin ka kanosur atë me fjalët “Të korri me kallash, ka me ta ndalu Ferizajn dhe gjallë nuk të lejoj me hy”.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 185 par 2 të KPRK-së.