AKTGJYKIM LIRUES PËR FARMACISTEN E “OMEGA FARM” DHE DOGANIERIN NË TERMINALIN “INTEREUROPA”

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshme Nekibe Ejupin, e cila akuzohej se kishte kryer veprën penale “prodhim dhe shpërndarje e produkteve të dëmshme mjekësore”. Në seancën e së enjtes, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetarja e trupit gjykues Valbona Musliu – Selimaj ka liruar nga akuza edhe Edmond Stavilecin, i cili akuzohej se kishte kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të pandehurit e lartpërmendur u liruan nga akuza meqenëse për të njëjtit nuk është provuar se kanë kryer veprat penale të cekura si në aktakuzë.

Ky proces ka filluar me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur në prill 2014. Sipas të njëjtës Nekibe Ejupi si përgjegjëse dhe drejtuese teknike e punësuar në barnatoren ”Omega Farm”, kishte vënë në qarkullim produkte të dëmshme mjekësore, duke importuar produkte medicinale për  1120 pako të barnave ”Oki”. Sipas Prokurorisë, e akuzuara Ejupi këtë e kishte bërë në mënyrë të kundërligjshme, pa u pajisur me licencë për import të serisë nga AKPM – ja.

Ndërkaq, Edmond Stavileci akuzohej në cilësinë e doganierit përgjegjës për ekzaminimin e ngarkesës dhe harmonizimin e dokumentacionit në terminalin doganor “Intereuropa”. Bazuar në aktakuzën e prokurorisë,  Stavileci në momentin e zhdoganimit të produkteve të importuara nga subjekti “Omega Farm, i kishte mundësuar të njëjtës të bëj zhdoganimin e mallit pa e poseduar licencën për import të serisë nga AKPM-ja. I njëjti akuzohej se nuk e ka bërë harmonizimin e dokumentacionit me gjendjen faktike të mallit që është importuar pasi subjekti”Omega Farm” nuk ka pasur leje importi për produktin “Oki”.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë