Aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim në detyrë ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe zyrtares komunale të Skënderajt

m
Author

Raporton Amir BUNJAKU

Korrik 24, 2020

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, ka marrë aktgjykim lirues ndaj ish–drejtorit të Urbanizmit të komunës së Seknderajit, Hasan Shala, si dhe zyrtares së kësaj drejtorie, Sanije Ahmeti, të cilët ngarkoheshin me veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe mashtrim.

Sipas aktgjykimit të shpallur nuk ka prova që vërtetojnë se të pandehurit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

“Gjykata ka vlerësuar se nuk ka prova prandaj edhe ka marrë aktgjykim lirues”, ka thënë gjykatësi Beqir Halili.

Kurse, shpenzimet procedurale për këtë rast bien në barrë të gjykatës dhe kërkesë pasurore juridike nuk kishte.

Gjykatësi Halili, ka njoftuar se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 15 korrik 2016, Hasan Shala, në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Skenderajt, si dhe Sanije Ahmeti si inxhiniere e arkitekturës në këtë drejtori, po akuzohen se  duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe atë organizata e biznesit NNSH” ILEAA-GR”.

Bazuar në aktakuzë, e akuzuara Sanije Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e parkut “Te pishat” në Skenderaj më 28 shtator 2011, ka kërkuar nga zyra e prokurimit që të bëhet riformatimi- ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën numër 643-11-033-521 të datës 21 korrik 2011.

Kontratë, kjo e cila sipas aktakuzës, ishte e nënshkruar në mes Komunës së Skenderajt dhe kompanisë NNSH” ILEAA-GR” në Skenderaj, për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj në vlerë prej 88.004,00 euro.

Kurse, i akuzuari Hasan Shala, sipas aktakuzës, më 4 tetor 2011, ka marr vendim me anë të së cilit është aprovuar kërkesa, duke ndryshuar pozicionet e punës së rrethojës të parapara me kontratë me zëvendësimin e platosë më kubeja dhe murit mbrojtës për punime në terren edhe pse kompania NNSH” ILEAA-GR” kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.

Me këtë organi i akuzës i ngarkon me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç kësaj, Sanije Ahmeti akuzohet edhe se si inxhiniere e arkitekturës në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Skenderajt, me qëllim të përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo kompaninë NNSH” ILEAA-GR” në Skenderaj ka bërë prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011, mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut te pishat në Skenderaj duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara në fjalë ka vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtar në kryerjen e pagesave në shumën prej 80.190,00 euro, si dhe në shumën prej 7.814,00 euro edhe pse kompania NNSH “ILEAA-GR” nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë.

Me këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi në detyrë”, nga neni 341, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Përkohshëm të Kosovës, në bashkim real me veprën penale si nën pikën 1 të dispozitivit.