Aktgjykim lirues dhe refuzues për dy të akuzuarit lidhur me vdekjen e punëtorit në fabrikën e Ferronikelit

20190514_131357
Author

Raporton: Medina KADRIU

Maj 14, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, e ka liruar nga akuza për rrezikim të sigurisë në punë, të akuzuarin Ahmet Cakaj.

Ndërsa, kjo gjykatë ka marr aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit tjetër për të njëjtën vepër penale Shefik Imeri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka thënë se nuk është vërtetuar se i akuzuari Cakaj ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Ndërsa, për të akuzuarin tjetër, prokurori Hivzi Bajraktari, gjatë fjalës përfundimtare ishte tërhequr nga akuza dhe për këtë arsye kjo gjykatë ka marrë aktgjykim refuzues.

Prokurori Bajraktari kishte thënë se nuk është vërtetuar se i akuzuari Imeri ka kryer një vepër të tillë penale, andaj edhe ishte tërhequr nga ndjekja penale.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 korrik 2012, Ahmet Cakaj dhe Shefik Imeri, akuzohen se si persona përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin gjatë punës nuk kishin vepruar sipas rregullave teknike mbi masat e sigurisë dhe nga pakujdesia kishin shkaktuar vdekjen e një personi.

Në aktakuzë thuhet se me 12 nëntor 2011, Cakaj si pronar i kompanisë kontraktuese NTSH “Endriti-Kom”, me seli në Trestenik të Drenasit dhe punëdhënës i tani të ndjerit A.F, kishte lejuar që ky i fundit të punësohet pa përvojë të mjaftueshme dhe pa i tërhequr vërejtjen për rrezikun që i kanoset në punë, që të manipulojë me makineri të rëndë.

Ndërsa, Imeri akuzohet se në cilësinë e menaxherit të prodhimit në “Neë Co Ferronikeli Complex LL.C”, në Drenas, nuk ishte përkujdesur për sigurimin e kushteve të punës, sipas rregullores.

Sipas aktakuzës, tani ndjeri pasi kishte zbritur nga skipi, më të cilin kishte tentuar të debllokojë bunkerin e skories së elevatorit të sistemit V, duke ecur mbi plato betoni, në një moment kishte shkelur mbi ujin me avull dhe ishte zhytur në ujin me temperaturë prej +67 gradë celsius.

Si pasojë e kësaj, atij 70-79% e trupit i ishte kapluar nga djegia, nga të cilat më pas kishte ndërruar jetë më 29 nëntor 2011, në Qendrën Klinike Universitare në Turqi. /BetimipërDrejtësi