Aktakuzë ndaj deputetit Rasim Demiri dhe një personi tjetër për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës

Rasim Demiri
Author

Raporton: Liridon Pnishi

Maj 22, 2020

 Prizren – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, të premten, ka ngritur aktakuzë kundër deputetit nga koalicioni VAKAT, njëherit ish-ministër i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri dhe personit me inicialet M.P., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të prokurorisë në fjalë.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.P., me  datë 30.03.2020 rreth orës 16:00 në fshatin Pouskë – Komuna e Prizrenit,  posedon armë zjarri pushkë gjysmë – automatike dhe nëntëmbëdhjetë (19) fishekë të kalibrit të panjohur, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.

Po ashtu, i pandehuri M.P, me datë, kohë dhe vend të njëjtë  përdorë  armë zjarri pushkën gjysmë – automatike në një shenjëtore të improvizuar në fshatin Pouskë, i  shoqëruar me të pandehurin R.D., në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët. “, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, i pandehuri M.P., akuzohet se ka përmbushur elementet e veprave penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe  “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” .

“Ndërsa, i pandehuri R.D., me datë, kohë dhe vend të njëjtë përdorë armë zjarri pushkën gjysmë – automatike në një shenjëtore të improvizuar në fshatin Pouskë, shoqëruar me të pandehurin M.P., në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.”, thuhet tutje në komunikatë.

Me këto veprime, i pandehuri Demiri akuzohet se ka përmbushur elementet e veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas komunikatës, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë. /BetimipërDrejtësi