AKK: 14 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë për vitin 2021

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë- Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) ka publikuar të martën regjistrat e deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë për vitin 2021.

Sipas AKK-së, nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të lartë publikë që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4 mijë e 684 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani.

Përmes një komunikate për medie, AKK thotë këta regjistra u publikuan në pajtim me Ligjin për Deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nesër më 15 qershor 2022, në ora 09.00, Agjencia kundër Korrupsionit, do të organizojë hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë për përzgjedhjen e 20% të zyrtarëve që janë subjekte të deklarimit vjetor të pasurisë, që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Ndërsa, pas përfundimit të shortit dhe krijimit të listës që buron nga shorti, AKK do të fillojmë kontrollin e plotë të pasurisë, në pajtim me legjislacionin në fuqi. Për të evituar lëshimet eventuale gjatë procesimit të të dhënave, Agjencia kundër Korrupsionit përmes personave kontaktues, javën e kaluar, ka dërguar te subjektet deklaruese regjistrat e deklarimit të pasurisë dhe tashmë ka pranuar përmirësimet nga ta”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë