Agron Mustafa dhe dy të tjerët kërkojnë hudhjen e aktakuzës për rastin “Z-Mobile”

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Nëntor 7, 2018

Prishtinë – Në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa  dhe të akuzuarve Ejup Qerimi e Rexhë Gjonbalaj, në seancën e së mërkurës, të akuzuarit kanë kërkuar që gjykata ta hedhë poshtë aktakuzën e prokurorisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, tre të akuzuarit po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Mustafa bashkë me Ejup Qerimin, që drejtoi PTK-në në periudhën 2012-2014, si dhe Rexhë Gjonbalajn, ish-kryesues i Bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, nga Prokuroria e Shtetit akuzohen se i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro.

I akuzuari Agron Mustafa, nuk ka folur gjatë, por ka thënë se mbron qëndrimet e mbrojtjes së tij të cilat janë theksuar në kundërshtimin e aktakuzës në këtë rast.

“Dua ti referohem dokumentit zyrtar të Z-Mobile dorëzuar në arbitrazh me 13 prill 2015, ku në mënyrë eksplicite vet Z-Mobile paraqet arsyet se pse e kanë detyruar të shkojë apo të kërkojë që arbitrazhi të zgjedhë kontestin mes dy palëve”, tha Mustafa.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agron Mustafa, avokati Artan Qerkini tha se tre të akuzuarit po akuzohen për një epilog të një kontesti civil, për shkak se të njëjtit nuk kishin arritur rezultat në negociata në një kontest civilo-juridik.

“Objekt i kontestit mes palëve ka qenë interpretimi i kontratës, ndërsa prokuroria në aktakuzë i referohet aktgjykimit në një rast penal tjetër, i cili ka pasur për objekt shqyrtimi krejt diçka tjetër prej asaj që është shqyrtuar në arbitrazhin ndërkombëtar”, tha Qerkini.

Sipas tij, objekt shqyrtimi në çështjen penale paraprake kishte qenë konstatimi se një kontratë a ishte e dëmshme apo jo, e cila ishte konstatuar se nuk ishte e dëmshme, ndërsa objekt shqyrtimi në arbitrazhin ndërkombëtar nuk kishte qenë ligjshmëria e kontratës, por kontesti i palëve lidhur me interpretimin e saj.

“Çdo kush qe e ka lexuar kontratën e vëren se aty në mënyrë taksative nuk përcaktohet obligimi i PTK-së që të ofrojë shërbime që i ka kërkuar operatori ekonomik. Për më shumë qëndrimet e të pandehurve janë të mbështetura në qëndrimet e zyrës ligjore e PTK-së, si zyre e autorizuar për interpretimin e kontratave”, ka deklaruar ai.

Ai tha se bordi i PTK-së, kishte angazhuar edhe ekspert të jashtëm ligjor dhe qëndrimi i të gjithë atyre kishte qenë se PTK-ja nuk obligohej t’i ofrojë ato shërbime të cilat po kërkoheshin nga Z-Mobile.

“Unë mendoj se çdo njëri i përgjegjshëm sidomos nëse është në struktura menaxhuese të një ndërmarrje publike, është dashur të veprojë në linjë me këto qëndrime, sepse eventualisht mosveprimi ne përputhje me këto qëndrime do ti fuste të pandehurit ne zonë kriminale”, tha Qerkini.

Sipas tij, i mbrojturi i tij kishte ardhur në krye të postës në shkurt 2015, ndërsa padia në arbitrazh ishte bërë pas dy muajsh.

“Një drejtor edhe me shkop magjik me ardh një problem nuk mundet me zgjedh për dy muaj”, shtoi Qerkini.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Qerimi, avokati Ramiz Krasniqi, tha se kishin vërejtje parimore ndaj aktakuzës, pasi sipas tij, procedura ndaj Qerimit ishte dashur të veçohej për shkak që siç tha ai, edhe periudha e inkriminuar nuk ishte e njëjtë me periudhat e inkriminuara për dy të akuzuarit tjerë, provat materiale nuk ishin të përbashkëta dhe se Qerimi, nuk ishte i akuzuar se veprën penale e kishte kryer në bashkëkryerje.

Sipas Krasniqit, të metat e shumta e bënin aktakuzën të paligjshme, ngase sipas tij, nga i akuzuari Qerimi po kërkohet përgjegjësi për moszbatimin e kontratës së lidhur në vitin 2009, e cila kontratë sipas tij, nuk ishte zbatuar që nga ajo kohë dhe as nuk kishte pretendime që të zbatohet.

Ai tha se në shkresat gjendej një vendim gjyqësor nga i cili ishte pezulluar ekzekutimi i kësaj kontrate dhe se në aktakuzë flitej për një vendim të arbitrazhit dhe për vendime tjera që sipas Krasniqit, ishin vendime të natyrës civile juridike, të cilat nuk mund të prodhonin vepër penale.

“Unë besoj fort se kjo gjykatë nuk do të lejojë që ky rast të shkojë ma tutje, sepse me aktakuza të tilla nuk mund të mbulohen keqpërdorimet e asnjë kompanie kushdo çoftë ajo”, tha Krasniqi.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rexhë Gjonbalaj, avokati Teki Bokshi tha se pretendimet e prokurorisë se i akuzuari Gjonbalaj, kishte shfrytëzuar pozitën, nuk kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare, se kishte pasur qellim që të dëmtuarit Dardafon-Z-mobile t’i shkaktojë dëm, nuk kishin mbështetje faktike e as ligjore.

Sipas Bokshit, i akuzuari Gjonbalaj kishte qenë kryesues i bordit drejtues të PTK-së, i pari ndër të barabartët që kishte vendosur për çështjet vetëm strategjike dhe të tjerat të cilat kishin qenë të definuara me Ligjin për Ndërmarrje Publike.

Ai tha se procedura hetimore në këtë çështje ishte zhvilluar në mënyrë specifike, dhe se prokurori kishte ndërmarrë vetëm një veprim hetues procedural, duke proceduar vetëm dëshmitarin Ismet Hamitin.

“Duke përjashtuar autorizimet qe i janë dhënë policisë hetimore, asnjë veprim tjetër procedural prokurori nuk ka ndërmarrë dhe përfundimisht ka ngritur këtë aktakuzë e cila nuk meriton që të procedohet më tutje”, tha Bokshi.

Sipas tij, në shkresat e lëndës gjendet një shënim zyrtar i takimit të policëve hetues dhe të prokurorit të çështjes, të cilës ishin marrë vesh që aktakuza të ngritët për dy të akuzuarit e parë, dhe se i njëjti prokuror sipas Bokshit, i kishte sugjeruar policët hetues që të paraqisnin kallëzim penal vetëm ndaj dy të akuzuarve të parë.

“Nga materialet hetuese të cilat na janë dorëzuar, nuk shihet gjurmë tjetër…Pse më vonë ka ndryshuar ky qëndrim dhe kush ka ndikuar që prokurori i çështjes të paraqet akuzë edhe ndaj të mbrojturit tim”, tha ai.

Lidhur me pretendimin e prokurorisë se ishin krijuar shpenzime me paraqitje të ankesës në Gjykatën e Londrës, Bokshi tha se i akuzuari Gjonbalaj nuk kishte pasur ndikim, ngase sipas tij, sugjerimi i kompanisë së angazhuar nga menaxhmenti si kompani me ekspertizë ligjore, kishte qenë se ankesa ishte e lejuar dhe rekomandohet paraqitja e së njëjtës.

I njëjti i propozoi gjykatës që kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, ti aprovojë, pasi sipas tij, kjo ishte mënyra më e drejtë për tu zgjidhur kjo çështje juridiko-penale.

Ndërkaq i akuzuari Gjonbalaj, tha se në bazë të Ligjit mbi Ndërmarrjen Publike, bordi ishte organ vendimmarrës dhe nuk kishte rol ekzekutiv, duke shtuar se bordi i drejtorëve punonte me honorar në bazë të ligjit dhe nuk është i punësuar në PTK.

“Për pikat që më akuzon prokuroria, në asnjë rast bordi i drejtoreve nuk ka marrë vendim ngase nuk ka marrë kërkesa të tilla. Unë si kryesues i bordit për disa nga ato pika jam informuar vetëm kur është ngritur padia në arbitrazh, atëherë jemi informuar se ka probleme të tilla”, tha ai.

Ai tha se ai si kryesues i bordit, vota e tij ishte e barabartë si të gjithë anëtarët e tjerë, dhe se vota e tij nuk ishte votë vendimmarrëse.

Ndryshe, nga të akuzuarit, prokurorja Florije Shamolli ka kërkuar afat shtesë një javor për t’u përgjigjur me shkrimet kërkesave të mbrojtës së të akuzuarve për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Këtë propozim të prokurores Shamolli, e ka aprovuar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, i njoftoi palët se lidhur me këto kundërshtime gjykata do të merr vendim pas përgjigjes nga ana e prokurorisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018 kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.

Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqesore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafes, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.