Agim Peci ish-drejtor i Spitalit Rajonal të Mitrovicës dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Raporton: Gzim SHALA

Vushtrri –  Të akuzuarit për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” Agim Peci, Hysni Hoxha dhe Lulzim Bakalli, u deklaruan të pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

“Assesi nuk e ndjej veten fajtorë për këto akuza dhe mendoj se veprimet e mija ne këtë rast nuk përbejnë vepër penale”, tha ish-drejtori i Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Agim Peci.

Gjyqtari Avni Mehmeti i njoftoj palët se kanë kohë 30 ditë për paraqitjen e kundërshtimeve për këtë rast. Në lidhje me kundërshtimet do të vendoset jashtë seancës gjyqësore, pasi që shqyrtimi i dytë në këtë rast nuk do të mbahet.

Sipas aktakuzës, Agim Peci në cilësinë e drejtorit të spitalit “Dr. Sami Haxhibeqiri”, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrat e tij me qëllim që të përfitojnë dobi personat e tjerë. Në këtë drejtim, ai në dhjetor të vitit 2012 ka formuar komisionin për dorëzim-pranim të projektit “furnizim me material dhe pajisje për sistemin qendror të gazrave medicionale si dhe implementimi i rrjetit”. Kontrata e këtij projekti kapte vlerën prej 223.846.00 euro dhe aneks kontrata kapte vlerën prej 16.750.50 euro. Stabilimentet e montuara të gazrave medicionale janë lëshuar në shfrytëzim pa pranim teknik nga një komision ekspertësh nga inspekcioni, ashtu siç kërkohet në Ligjin për Pajisjet në Tension. Të njëjtat janë përdorë prej datës 26 dhjetor 2012 deri më 30 shtator 2014 kur inspektorët kanë dalë ne vend të ngjarjes, me ç‘rast janë shkelë të drejtat e pacientëve.

Hysni Hoxha akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar nga Kompania fituese “Lindi”, nuk e ka njoftuar inspekcionin për pajisjet nën presion me rastin e fillimit të instalimit të gazrave medicionale, siç kërkohet në ligj. Për këtë mos njoftim akuzohet edhe Lulzim Bakalli, në cilësinë e personit të autorizuar të kompanisë NSHP “ENG-CO”, kompani kjo e autorizuar për mbikëqyrjen e implementimit të këtij projekti.

Ish-drejtori Peci po ashtu akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtarë duke tejkaluar kompetencat e tij, me ç’rast u ka shkaktuar dëm personave të tjerë. Sipas aktakuzës, ai nuk e kishte bërë ndarjen e mjeteve për stimulimin e punëtorëve sipas performancës në shumë prej 5.700 euro, por këto mjete ai i ka përdorur për të blerë karburante për nevojat e spitalit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë