AGIM BAHTIRI DEKLAROHET I PAFAJSHËM PËR KEQPËRDORIM TË POZITËS ZYRTARE 

Raporton: Diana BERISHA

Vushtrri – Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri u deklarua i pafajshëm për veprën “keqpërdorim i pozitës zyrtare”. Në seancën e mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të pafajshëm u deklaruan edhe Haxhimet Ferati, shef i prokurimit në Mitrovicë, dhe Gazmend Kelmendi, drejtor për Kosovë i operatorit ekonomik “Hesalight”.

Pasi që prokurori i çështjes Agron Bajrami lexoi aktakuzën, i pandehuri Bahtiri tha se këtë gjykim e konsideron politik dhe se aktakuza nuk ka të bëjë aspak me të. Poashtu ai tha se Komunës së Mitrovicës i ka sjellë fitim prej 2.4 milionë euro dhe se nuk e ka keqpërdorur asnjë cent të Komunës.

Ndërkaq, prokurori Bajrami tha se gjatë administrimit të provave do të vërtetohet fajësisa e të pandehurve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se Agim Bahtiri në pozitën e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, së bashku me Haxhimet Feratin, shef i zyrës së prokurimit të kësaj Komune, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllimit të përfitimit të kundërligjshëm. Këtë përfitim pretendohet se e kanë sjellë për operatorin ekonomik ” HESALIGHT A/S, ku drejtor për Kosovë tani është i akuzuari Gazmend Kelmendi. Të njejtit pranë Autoritetit Kontraktues kanë nënshkruar kontratën me titull ” Furnizim, montim dhe mirëmbajtje  e ndriçimit publik efiçiente në të gjitha rrugët e qytetit të Mitrovicës”, ofertë kjo e bazuar në marrëveshje të kundërligjshme, qëllimi i të cilës ishte kufizimi i konkurrencës së lirë. Tutje sipas prokurorisë Komuna e Mitrovicës ka pranuar ofertën e paraqitur nga Kelmendi me çmim prej 767.940.00 euro, dëm ky i shkaktuar Komunës, gjegjësisht buxhetit të Kosovës. Në këtë mënyrë të pandehurit pretendohet se kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore duke mos e njoftuar KRPP-në.

Poashtu te njëjtit nuk e kanë publikuar njoftimin për dhënie të kontratës me qëllim që të shpërblehet operatori ekonomik në fjalë, përkundër faktit se ka pasur edhe operatorë tjerë lidhur me ofrimin e shërbimeve te njëjta.

Aktakuza ngarkon të pandehurit Agim Bahtirin dhe Haxhimet Feratin për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, përderisa i pandehuri Gazmend Kelmendi ngarkohet me veprën ” Marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender”.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë