AFËR PËRFUNDIMIT RASTI PËR KEQPËRDORIM TË BUXHETIT NË KOMUNËN E PEJËS

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Është dhënë fjala përfundimtare në rastin kundër ish-Menaxherit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Pejës, Xhemë Berisha dhe biznesmenit Kujtim Selmanaj. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sami Sharraxhiu, të enjtën ka marrë kërkesat e palëve në procedurë lidhur me atë se çfarë vendimi duhet marrë ky trup gjykues për përfundimin e këtij shqyrtimi gjyqësor.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja e shtetit Sahide Gashi, tha se është për të ardhur keq kur sheh që paraja publike keqpërdoret për qëllime personale të personave përgjegjës në institucionet publike. Tutje prokurorja shtoi se i akuzuari Kujtim Selmanaj me rastin e lidhjes së kontratës me Komunën e Pejës, ka marr përsipër obligimin për mbajtjen në punë të të gjithë punëtorëve, ndërsa të njejtëve nuk u ka kryer pagesat e pagës dhe kontributeve tatimore dhe pensionale. Ndërsa në lidhje me të akuzuarin Xhemë Berisha, prokurorja deklaroi se si person përgjegjës në Komunën e Pejës ka vazhduar pagesën për kompaninë e të akuzuarit Selmanaj, edhe përkundër faktit se të njejtit ATK-ja i’a kishte bllokuar llogarinë bankare për moskryerje të obligimeve tatimore. Nga trupi gjykues prokurorja Gashi kërkoi që për të akuzuarit të sjellë aktgjykim meritor në bazë të dispozitave ligjore, si dhe dënim plotësues për të akuzuarin Xhemë Berisha.

Përfaqësuesi i Komunës së Pejës, avokati Muharrem Shala tha se nëse gjindet që me veprimet e të akuzuarve është dëmtuar Komuna e Pejës, atëherë kompenzimin do ta kërkojnë në procedurë civile.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Xhemë Berisha, avokati Gëzim Kollçaku kërkoi nga trupi gjykues që gjatë marrjes së vendimit për të mbrojturin e tij, të ketë parasysh raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Sipas tij, ky raport dëshmon se asnjë veprim i Xhemë Berishës nuk është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Të njëjtin konstatim e dha edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kujtim Selmanaj, avokati Haxhi Çekaj, i cili tha se sipas këtij raporti nuk bëhet fjalë për asnjë shkelje ligjore. Çekaj shtoi  se dispozitivi i aktakuzës është shum i pavërtetë, për faktin se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e prokurores.

Pas kësaj, trupi gjykues mori aktvendim që shpallja e aktgjykimit të bëhet më 25 prill 2016.

Ky shqyrtim gjyqësor po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, me arsyetimin se i akuzuari Xhemë Berisha në cilësinë e personit zyrtar-Menaxher i Zyrës së Prokurimit në KK Pejë, nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare. Sipas aktakuzës, Berisha duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, gjatë ekzekutimit të kontratës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të administratës komunale, institucioneve shëndetësore, arsimore dhe kulturore, edhe pse firma NTSH “Network” nuk i ka përmbushur obligimet e marra në kontratë për pagesën e obligimeve tatimore, me ç’rast ATK i’a bllokon xhirollogarinë, i njejti e ndërron emrin në “Selmans Network” dhe hap xhirollogari të re. Me këtë rast, i pandehuri në vend se ta shkëpusë kontratën, i urdhëron thesarin që të vazhdoi pagesën, tani me emër të ri në shumën prej 106.609,53 euro. Ndërkaq, i pandehuri Kujtim Selmanaj prej datës 16 mars 2012 deri më 25 maj 2012, me qëllim të realizimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për subjektin e tij afarist NTSH “Network”, nuk i ka kryer obligimet tatimore të përcaktuara me ligj në shumën prej 99.289,33 euro. Tutje me datë 1 shkurt 2012, me vetëdije nuk e ka zbatuar Ligjin e Punës dhe ka shkelur kontratën e lidhur me KK Pejë, në atë mënyrë që nuk i ka paguar shumicën e pagave të punësuarve dhe pagesat në Trustin Pensional të Kosovës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë