AFËR PËRFUNDIMIT GJYKIMI LIDHUR ME DALLAVERET E PRONAVE NË LIPJAN

Raporton: Valdet HAJDINI

Lipjan – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Degën e Lipjanit, të premten, para gjyqtarit Shashivar Hoti ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor, për dallaveret me prona në Lipjan. Në këtë seancë është ndëgjuar përfaqësuesi i autorizuar i Raiffeisen Bank, si dhe ka dhënë mbrojtjen i akuzuari Rasim Llugiqi, i akuzuar për veprën penale të mashtrimit.

Fillimisht në seancë u ndëgjua dëshmitari-përfaqësuesi i Raiffeisen Bank Odise Saliuka, i cili në pyetjen e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, avokatit Xhafer Maliqi, nëse është kryer transferi i parave nga i akuzuari Rasim Llugiqi në llogari të Millka Simianoviq, dëshmitari tha se në bazë të dokumentacionit zyrtar të bankës, rezulton të jetë kryer transaksioni në shumën prej 45.000,00 euro, e të cilat janë tërhequr nga pronarja e llogarisë Millka Simianoviq.

Në pyetjen e prokurores, Fatmire Cacaj, cila është procedura e tërheqjes së mjeteve nga llogaria bankare, dëshmitari Saliuka tha se tërheqja e parave i lejohet vetëm pronarit të llogarisë, ndërsa ka raste kur tërheqjen mund ta bëjë edhe personi i autorizuar nga pronbari i llogarisë.

Në pyetjen e gjyqtarit Shashivar Hoti, çka ndodh në rastet kur pala vërehet se është e kërcënuar apo e mashtruar, dëshmitari tha se në ato raste zyrtari i bankës nuk e kryen fare transaksionin.

Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor vazhdon me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Rasim Llugiqi, i cili në pyetjet e avokatit mbrojtës Fehmi Shala, nëse kontratën e shitblerjes e ka lidhur për shumën prej 180.000,00 euro, i akuzuari tha se është e vërtet se kontrata është lidhur për shumën e 180.000,00 euro, e jo për shumën që pretendon e dëmtuara. Në pyetjen tjetër të avokatit Shala, se ku i ka marr parat për blerjen e placcit, i akuzuari tha se që nga viti 1986 jetoi në Zvicërr dhe rregullisht kam punuar. Tutje i akuzuari tha se në “ditën kur kanë ardhur në gjykatë për ta vërtetuar kontratën e shitblerjes, zyrtari i gjykatës nuk ua ka vërtetuar kontratën, me arsyetimin se autorizimi nuk është i rregullt. Po atë ditë, Millkës i’a kishte deponuar në bankë 45.000,00 euro, si dhe në kesh i’a kishte dhënë 5.000,00 euro”. Në pyetjen tjetër të avokatit mbrojtës, përse i kanë ndërruar bankat gjatë kryerjes së transfereve, i akuzuari Llugiqi tha se fillimisht i kishte propozuar që gjithë shumën t’ia transferonte në llogarinë e saj në një bankë në Graqanicë. Tutje i akuzuari tha se Millka ka insistuar që për shkak të devalvimit është mirë që ta hapë një llogari në një bankë komerciale të Kosovës, ndërsa më pas ka hapur një llogari në Raiffeisen Bank, ku edhe i’a ka kryer të gjitha pagesat.

Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktua më 18 prill 2016, ku i akuzuari do të vazhdoi mbrojtjen.

Ky proces gjyqësor është në rigjykim dhe zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë, me të cilën i akuzuari Rasim Llugiqi ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Rasim Llugiqi, më 12 .maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veproi në dëm të pasurisë së saj të dëmtuarën Millka Simianoviq. Kjo kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurove, me arsyetimin të tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000,00 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë