Afër përfundimit gjykimi i grupit të Nuhi Ukës, për dallaveret me prona në Komunën e Prishtinës

Raporton: Valdet HAJDINI

Prizren – Para trupit gjykues të EULEX-it, të udhëhequr nga gjyqtari Arcadius Szedek, ka vazhduar gjykimi i ish-Kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka dhe grupit të tij, për akuzat për dallavere me prona në Komunën e Prishtinës.

Në seancën e të martës, sipas rendit ka vazhduar fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarës Mirafete Hashani-Bislimi, avokati Zhivojin Jokanovic.

Për më shumë se katër orë ka zgjatur fjala përfundimtare e avokatit Jokanovic, i cili një pjesë të madhe të fjalimit të vet ia dedikoi rregullimit të qeverisjes lokale në ish-Jugosllavi.

Avokati Jokanovic i ka sqaruar trupit gjykues se si ka qenë e rregulluar çështja e ndarjes së banesave dhe lokaleve në kohën e ish-Jugosllavisë dhe si duhet të trajtohet tani. Në lidhje me tej zgjatjen e sqarimeve rreth kësaj çështje, avokati Jokanovic mori vërejtje nga kryetari i trupit gjykues Arcadius Szedek, i cili i kërkoi avokatit të kursehet nga sqarimet e tepërta dhe të fokusohet në mbrojtjen e të akuzuarës sipas aktakuzës.

Në fjalën e vet përfundimtare, avokati Jokanovic deklaroi se akuzat e ngritura ndaj të mbrojturës së tij, Mirafete Hashani-Bislimi, janë të pabazuara ligjërisht. Ai kërkoi nga trupi gjykues që gjatë vendosjes për të mbrojturën e tij, të ketë parasysh të gjitha faktet dhe provat e ofruara gjatë gjykimit dhe të vendos në bazë të meritave.

“Zotërinj, ju vini nga një sistem tjetër, ju nuk e kuptoni sistemin tonë socialist dhe rregullimin e tij”, ishin fjalët e avokatit Jokanovic, i cili në këtë mënyrë iu drejtua trupit gjykues, në përpjekje për t’i bindur se veprimet e të mbrojturës së tij ishin në përputhje me ligjin.

Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktua për 14 shtator 2016, me fillim në ora 10.00, ku do të vazhdoj fjala përfundimtare e avokatëve dhe të akuzuarve tjerë.

Ndryshe, ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sipas pretendimit të prokurorisë më 22 shkurt 2006 dhe 26 korrik 2006, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore Nuhi Uka ia ka caktuar lëndën relevante duke shkelur të gjitha parimet ligjore Sanije Muçollit, për t’ia dhënë pronën në mënyrë të kundërligjshme Ajkuna Hashanit, njëkohësisht duke e dëmtuar Komunën e Prishtinës. Për këto veprime, Nuhi Uka, ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës akuzohet me veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’, ‘mashtrim’ dhe ‘krim të organizuar’. Sanije Muçolli, avokate dhe në të kaluarën gjykatëse në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë ngarkohet për veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare ose autoritetit’, ‘nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore’ dhe veprën penale të ‘mashtrimit’.

Për të njëjtat akuza si Uka ngarkohet edhe Fehmi Havolli, ekspert i gjeodezisë në Drejtorinë e Kadastrit në Komunën e Prishtinës.

Bashkë me këta të tre, të pandehur në këtë rast gjyqësor janë edhe Mirafete Hashani-Bislimi, Kadrie Hashani-Muharremi, Kimete Hashani-Uka, Hilmije Miftarin dhe Ibadete Hashani-Cakaj, të gjitha akuzohen për veprën penale ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’.

Prokuroria pretendon se të gjithë të pandehurit kanë formuar një grup të organizuar kriminal, secili me rolet e veta specifike, ndërsa udhëheqës i këtij grupi ka qenë Nuhi Uka.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë