Afër fundit gjykimi ndaj Kryetarit të Komunës së Kllokotit, për dallaveret në punësimin e shërbyesve civil
Raporton: Valdet HAJDINI
Gjilan – Në seancën e së hënës kundër Srećko Spasić, Kryetar i Komunës së Kllokotit, i akuzuar për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ janë lexuar dhe administruar të gjitha provat materiale, shkresat e lëndës të bashkangjitura në aktakuze, provat e propozuara nga mbrojtja, si dhe ato të propozuara nga palët e dëmtuara. Në lidhje me provat e administruara në këtë seancë, palët nuk patën vërejtje, për faktin se shumica prej tyre ishin dokumente zyrtare, të lëshuara a institucionet shtetërorë.
Pas leximit dhe administrimit të provave, kryetari i trupit gjykues Afrim Shala, i njoftoi palët se në seancën e ardhshme i akuzuari do të jap mbrojtjen e tij, si dhe do të jepen fjalët përfundimtare.
Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktua për 24 tetor 2016, me fillim prej orës 13.00.
Ndryshe, ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan. Prokuroria pretendon se i akuzuari Srećko Spasić, prej 10 dhjetorit 2015, në cilësinë e Kryetarit të Komunës të Kllokotit, ka keqpërdorur pozitën zyrtare apo autoritetin, në atë mënyrë që me dashje ka shkelur të drejtën e punëtorëve Bozhidar Dejanoviq dhe Trajan Stojanviq. Sipas prokurorisë, i akuzuari nuk e ka respektuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, për kthimin në punë dhe detyrat e punës të dëmtuarve dhe atë si drejtorë të shkollave.