Afër fundit gjykimi i ish-togerit Menderes Sinani

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore të Ferizajt, kanë dhënë fjalët përfundimtare i akuzuari Menders Sinani dhe mbrojtja e të akuzuarit tjetër Vahid Tahiri, avokati Admir Salihu. Seancat për këtë rast po mbahen në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.

I akuzuari Sinani tha se asnjëra nga veprat për të cilat akuzohet, nuk lidhet personalisht me të dëmtuarin, Bidajet Sylejmani. Ai tregoi se njësia të cilën ai e kishte udhëhequr, kishte pasur dyshime të bazuara, që Bidajet Sylejmani ishte duke u marrë me trafikim të qenieve njerëzore. Sipas Sinanit, arrestimi i tij ishte bërë në mënyrë shumë korrekte dhe çdo veprim i tyre kishte qenë në përputhje me ligjin. Akuzat që pastaj kishin pasuar nga Bidajeti dhe familja e tij, sipas ish-togerit ferizajas, kishin të bënin vetëm me hakmarrje ndaj tij, për arrestimin që ia kishte bërë. “48 orë pas arrestimit të tij, ne lëndën ia kemi dorëzuar prokurorit dhe pastaj çdo veprim tjetër është ndërmarrë nga prokuroria. Unë s’kam pasur të bëjë asgjë më shumë me rastin e tij”, tha Sinani.

Tutje Sinani shtoi se, pala e dëmtuar është ankuar shumë që kinse policia, pasi që e kishin arrestuar, qenkan fajtor për shkatërrimin e biznesit të tij familjar. “Gjatë këtij procesi gjyqësor, është tentuar që të devijohet lënda dhe të merremi me biznesin e Bidajetit. Me përgjegjësi them se nëse i është shkaktuar ndonjë dëm, atëherë mund t’i është shkatërruar vetëm biznesi me trafikim me qenie njerëzore”, tha Sinani.

Në fund Sinani tha se nuk ndihet fajtor për asnjë nga pikat e aktakuzës, dhe se shpreson që gjykata do të merr vendimin e duhur dhe të drejt.

Fjalën e tij përfundimtare e dha edhe mbrojtja e të akuzuarit  Vahid Tahiri, avokati Admir Salihu, klienti i të cilit akuzohet për shmangie nga taksat doganore dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Avokati Salihu kishte pasur vërejtje ndaj prokurorit të rastit Drew Angle, për të cilin tha se ai e kishte ditur që vepra për të cilën klienti i tij akuzohej, nuk kishte të bënte fare me të dëmtuarin Bidajet Sylejmani dhe se padrejtësisht, ai ishte mbajtur në këtë gjykim nga ana e prokurorisë. “Prokurori një veprim të parregullt të klientit tim, ka dashur që gjithqysh ta ndërlidhë me vepër penale edhe pse qysh në fillim e kishte pasur të qartë se ai nuk ka pasur të bëjë asgjë me shmangie nga pagesat për taksë doganore”, tha avokati Salihu.

Tutje avokati Salihu shtoi se prokurori qysh në fillim kishte mundur ta veçoj procedurën ndaj klientit të tij, e jo ta mbante atë në këtë gjykim me më shume se 80 seanca pa pasur nevojë.

“Ne nuk mund të pranojmë një vepër penale e cila sipas ligjit nuk klasifikohet si vepër penale, sa për t’ia bërë qejfin prokurorit, prandaj kërkoj nga gjykata lirimin e klientit tim nga akuza”, tha avokati Salihu.

Ndryshe, ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila më 27 dhjetor 2013 kishte akuzuar Menderes Sinanin, ku në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë për Anti-Trafikim në Ferizaj kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Gjithnjë sipas aktakuzës Vahid Tahiri, si punëtor i ndërtimtarisë ka kryer veprat penale “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “ dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar edhe pesë persona tjerë: Besim Shabani, Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Burim Veseli.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë