Adresa e tre paditësve rezulton e panjohur, shtyhet gjykimi për kompensim dëmi afër 7 mijë euro

Raporton: Valdita KELMENDI

Prishtinë– Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku paditësja Miredita Zymeri  dhe përfaqësuesja ligjore  për  fëmijët  R.P. dhe H.P, po kërkojnë nga i padituri A.S, kompensimin  e dëmit material në vlerë 6 mijë e 500 euro.

Paditësit  Zymeri , R.P dhe H.P, në këtë padi pretendojnë se i padituri Sahiti për shkak të vjedhjes së një zinxhiri dhe një lire, iu ka shkaktuar dëm material dhe jomaterial në  vlerë prej 6 mijë e 500 euro.

Gjykatësja Fatbardha Uka– Ibrahimi  lidhur me mungesën e tre paditësve ka thënë se sipas fletëkthesës, adresa e tyre ka rezultuar e panjohur.

Në këtë seancë ka munguar edhe i autorizuari i të paditurit A.S, Avdi Sahiti, për të cilin gjykata ka thënë ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

I pranishëm  në seancën e së martës ishte vetëm i padituri A.S, me përfaqësuesen e tij, avokaten Shyhrete Shala-Grajqevci.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, gjykatësja Uka –Ibrahimi  e ka shtyrë atë deri më 23 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar në nëntor të 2016-ës në  Prishtinë, paditësja Miredita Zymeri me fëmijët R.P dhe H.P, gjatë një shëtitje gjatë rrugës papritmas një grabitës e kishte goditur në kokë dhe ia kishin vjedhur një zinxhir qafe dhe një lirë në vlerë prej 1 mijë euro.

Në padi thuhet se i padituri A.S kishte ikur në një drejtim të panjohur.

Tutje në padi thuhet se paditëses Zymeri gjatë grabitjes i padituri i kishte shkaktuar lëndime trupore, e njëjta kishte thënë se gjatë kësaj kohe policia kishte ardhë dhe grabitësin e kishin zënë diku rrugës.

Prandaj me anë të kësaj padie dhe kërkesëpadie paditësja Zymeri  po kërkon kompensimin e dëmit  material dhe jomaterial për veten dhe fëmijët R.P dhe H.P, nga i padituri A.S, në vlerë 6 mijë e 500 euro. /BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë