Adresa e dëshmitarit rezulton jo e plotë, dështon gjykimi për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe ushtrim ndikimi

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Në mungesë të dëshmitarit Tribal Berisha, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Xhevdet Haxhiu, Rexhep Mehmeti dhe Mentor Nikaj po akuzohen për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe ushtrim ndikimi.

Lidhur me mungesën e dëshmitarit Berisha, kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni ka deklaruar se sipas fletëkthesës, adresa e të njëjtit ka rezultuar jo e plotë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të kushteve ligjor për mbajtjen e gjykimit, gjykatësja Hasaj-Hyseni seancën e ka shtyrë për 6 shtator 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 dhjetor 2021, Xhevdet Haxhiu, Rexhep Mehmeti dhe Mentor Nikaj akuzohen secili veç e veç për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, ndërsa Nikaj akuzohet po ashtu edhe  për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Xhevdet Haxhiu, në cilësinë e personit zyrtar të gjendjes civile në veri të Mitrovicës, në regjistrin e gjendjes civile, ka shënuar të dhëna të rreme, ashtu që më 31 maj 2011, fillimisht e ka regjistruar personin Ilir Gjonaj në Librin Amzë të Lindjes duke u bazuar në certifikatën e lindjes nga ish-RFJ për vitin 1970 me numër rëndor 1970, e lëshuar më 19 shtator 1997, ndërsa pas verifikimit që është bërë në librat e certifikuara të kthyera nga Serbia, nuk janë gjetur të dhëna për qytetarin në fjalë.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rast është vërtetuar se qytetari në fjalë është regjistruar në mënyrë të kundërligjshme, duke i mundësuar të njëjtit që të pajiset dhe në vazhdimësi ta përdor dokumentacionin e Republikës së Kosovës, letërnjoftimin dhe pasaportën.

Tutje, sipas aktakuzës edhe pse më vonë i njëjti në vitin 2019 ishte në dijeni se personi Ilir Gjonaj nuk kishte plotësuar kriteret për t’u pajisur me dokumentacionin e Republikës së Kosovës, pasi e kishte verifikuar të njëjtin në Librat e Certifikuara të kthyera nga Serbia, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim që ky regjistrim të anulohet.

Më këtë, Haxhiu ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 427, par.1 dhe nenit 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Rexhep Mehmeti, në cilësinë e personit zyrtar të gjendjes civile në Dardani-Prishtinë, në regjistrin e gjendjes civile ka shënuar të dhëna të rreme, ashtu që më 4 nëntor 2020 e ka futur në mënyrë të kundërligjshme qytetarin Arben Gjonaj në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile edhe pse i njëjti e posedonte Librin e kthyer nga Serbia, në të cilin qytetari në fjalë askund nuk figuronte se ka qenë i regjistruar.

Tutje, në këtë dispozitiv të aktakuzës thuhet se nga ana tjetër, Arben Gjonaj në dokumentacionin e Republikës së Kosovës që e posedonte, vendlindjen e kishte në Vushtrri, me të cilin kishte arritur që të pajiset më 11 maj 2010 duke përdorur dokumentacion të falsifikuar, mirëpo edhe përkundër kësaj, i pandehuri Mehmeti të njëjtin e regjistron në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile, tani me vendlindje në Prishtinë dhe të njëjtit i mundëson që të pajiset me letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Mehmeti, në cilësinë e personit zyrtar të gjendjes civile në Dardani-Prishtinë, në regjistrin e gjendjes civile ka shënuar të dhëna të rreme, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, ka regjistruar qytetarin Ilir Gjonaj, ashtu që më 23 nëntor 2020, të njëjtin e ka futur në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile me ndryshime, duke ia ndryshuar edhe vendin e lindjes nga Mitrovica në Prishtinë, edhe pse ishte në dijeni se i njëjti figuronte në sistem i regjistruar me vendlindje në Mitrovicë.

Mehmeti thuhet se edhe pse posedonte librin e kthyer nga Serbia, në të cilin qytetari në fjalë nuk figuronte askund i regjistruar, përkundër kësaj i njëjti i mundëson qytetarit që në mënyrë të kundërligjshme të futet në sistem dhe të pajiset me dokumentacion të Republikës së Kosovës me vendlindje në Prishtinë.

Me këtë, Mehmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 427, par.1 të Kodit Penal.

Për të pandehurin Mentor Nikaj, në aktakuzë thuhet se nga ekzaminimi i telefonatave të qytetarëve Ilir Gjonaj dhe Vllaznim Krasniqi, ka rezultuar se Nikaj në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë nga Gjonaj shumën prej 3 mijë euro, në mënyrë që i njëjti të ndikonte te i akuzuari Rexhep Mehmeti, ku në dokumentacionin e gjetur në dosjen e gjendjes civile kartoni i vjetër i Ish-Jogusllavisë (Becup), është fotografia me të cilin pajtohet i pandehuri dhe Ilir Gjonaj që të vendoset e që mund t’i përshtatet vitit 1996.

Në këtë mënyrë, thuhet se i ka mundësuar qytetarit Gjonaj që të futet në sistem me ndryshime të dhënave dhe të pajiset me dokumentacion të Republikës së Kosovës, ku me këtë edhe është përfunduar procesi i tërësishëm kundërligjor duke u bërë regjistrimi i Ilir Gjonaj, pasi që fotografia është identike si në komunikim ashtu edhe në dokument BECUP.

Më këtë, Nikaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 424, par.1 i Kodit Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Nikaj ka marrë pjesë në përpilimin e dokumentit të falsifikuar ashtu që duke ia dërguar punëtorit të gjendjes civile Rexhep Mehmeti një kopje të kartonit të vjetër të ish-Jogusllavisë, i cili është i falsifikuar pasi që nuk ekziston në arkivin e vjetër të QPD Prishtinë, ku fotoja e cila gjendet në komunikim ndërmjet Ilir Gjonaj dhe të pandehurit, e njëjta foto ndodhet në Becupin e falsifikuar, e cila gjendet në dosjen e gjendjes civile dhe mbi bazë të së cilës është futur në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile ku edhe në komunikimin e tyre dakordohen për foton që të vendoset në Becup si më e përshtatshmja që mund t’i përshtatet vitit 1996.

Me këtë, Nikaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 390, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë