Administrohen video-incizimet e masave të fshehta ndaj 14 ish-zyrtarëve policorë që akuzohen për marrje ryshfeti

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Shkurt 10, 2020

Mitrovicë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, janë shikuar dhe dëgjuar video-incizimet e të akuzuarve për marrje ryshfeti, të siguruara për gjykatën përmes masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.

Këto CD, janë dëgjuar në gjykimin ku për vepra penale të marrjes së ryshfetit,  po akuzohen ish-zyrtarët policorë, Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq dhe Zeki Shala.

Në këtë seancë, si prova materiale janë shikuar video-incizimet, ku shiheshin ish-zyrtarët policorë të njësisë së trafikut, Hasani, Haxhiu, Hajdari, Trajkoviq, Beqiri, Mehmeti dhe Shala teksa kishin pranuar ryshfet nga kundërvajtësit e trafikut.

Në njërën pjesë të video-incizimeve, shihet i pandehuri Ahmet Hasani, duke pranuar nga kundërvajtësi i trafikut bankënotë prej 20 euro, për të mos i shqiptuar gjobë të trafikut.

Ndërsa, në një pjesë tjetër, shihet i pandehuri tjetër, Esat Haxhiu, teksa e merr në veturë të policisë një bankënotë prej 10 euro, që i kishte lënë kundërvajtësi pasi ishte ndaluar nga policia për shkelje të rregullave të trafikut.

Në ditën tjetër ku në trafik kishin qenë të pandehurit Sahit Hajdari dhe Ahemt Hasani, në video- incizime shihet Hajdari, duke e udhëzuar kundërvajtësin e trafikut për ta lënë bankënotën në veturë, ku pastaj e futë të njëjtën në kuletë.

Në një rast tjetër, i pandehuri Hajdari shihet duke nxjerr një bankënotë nga çorapet.

Po ashtu, video- incizimet kanë vazhduar duke i paraqitur edhe ish-zyrtarët tjerë policorë Haxhiu, Trajkoviq, Mehmeti, Beqiri dhe Shala, teksa pranojnë ryshfet nga qytetarët që kishin kryer kundërvajtje.

Në njërën pjesë shihet ku një kundërvajtës ia hedh një bankënotë të pandehurit Trajkoviq, ndërsa ky i fundit ia kthen dokumentet kundërvajtësit.

Pas përfundimeve të video-incizimeve, deri në pikën e shtatë të aktakuzës dhe pas kalimit të orarit të punës gjykimi, është shtyrë nga gjykatësi Avni Mehmeti, për 21 shkurt 2020, prej orës 09:00 dhe 26 shkurt 2020, prej orës 10:00.

Seancat në vazhdim pritet të shikohen video-incizimet edhe për të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e kaluar, prokurorja Kela kishte kërkuar afat kohor për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë me disa prej të akuzuarve, ndërsa, në seancën e së hënës, ajo ka deklaruar se nuk ka arritur marrëveshje me asnjë prej të akuzuarve.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës aktakuzën e kishte ngritur ndaj 35 policëve të trafikut rrugor,

Në aktakuzë ishin të përfshirë, Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari , Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, Vojkan Stepiq, Vasko Raduloviq, Shefqet Maxhuni, Srdjan Zivkoviq, Sinisha Milutinoviq, Milan Jovanoviq, Sllavisha Filipoviq, Nedzad Islamoviq, Zmajko Milenkoviq, Sdrjan Djoroviq, Branko Radosavljeviq , Milan Vitkoviq, Stevica Ignjatoviq, Zlatomir Simoviq, Milijan Jovanoviq, Vesko Kandiq, Srdjan Milojeviq, Manjole Vlaskoviq, Milorad Mitroviq dhe Milijan Miliceviq, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës se duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare si punonjës të Policisë së Kosovës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit, kanë pranuar para në shuma të ndryshme  nga kundërvajtësit në trafik.

Shumat në fjalë i kanë ndarë në mes tyre në pjesë të barabarta, e disa i kanë mbajtur për vete, me qëllim të mos shqiptimit të tiketave me gjobë për shkak të shkeljeve të dispozitave  të Ligjit mbi Komunikacionin Rrugor.

Pas veçimit të procedurës, kjo seancë vazhdon vetëm ndaj zyrtarëve të jugut. Gjykata me aktvendimin e datës 3 korrik 2017, kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Ndërkaq, është hudhur aktakuza ndaj të pandehurit, Destan Rrecaj, si dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Në këtë rast, vazhdon gjykimi ndaj ish-zyrtarëve policorë Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq dhe Zeki Shala.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit” e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.