Administrohen provat në gjykimin ndaj ish-zyrtarit të MTI-së, mbrojtja propozon shpalljen e një prove të papranueshme, gjykata e refuzon

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë – Në gjykimin ndaj ish-zyrtarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Xh.S, pas administrimit të provave të propozuara në aktakuzë nga prokuroria, mbrojtja ka kërkuar ekspertizë dhe veçim të njërës provë.

Mirëpo, këto dy propozime janë kundërshtuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Medie Bytyqi, duke lënë mundësinë që të njëjtat mund të merren në konsideratë në fazat e mëvonshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Refuzohen propozimet e mbrojtësit të akuzuarit, tani për tani, mirëpo të njëjtat mund të merren në konsideratë në fazën e mëvonshme, në rast se paraqitet nevoja për ndriçim të kësaj çështje penale”, tha gjykatësja Bytyqi.

Xh.S po akuzohet se si udhëheqës i Divizionit për Mbështetje të Bizneseve dhe Zhvillimeve Regjionale në MTI, ka keqpërdorur informacione zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Management Development Association(MDA)”.

Në seancën e së martës prokurorja speciale Drita Hajdari, ka administruar si provë materiale, provat e propozuara në aktakuzë dhe atë informacionet rreth rezultateve të hetimit të kryera nga Zyra Ndërlidhëse Kundër Mashtrimeve (OLAF), analizën e informacioneve-emailet dhe dokumentacionin e projektit të hartuar nga OLAF, dokumentet nga dosja e prokurimit si dhe e-mailet e shkëmbyera në mes të akuzuarit Xh.S dhe L.D .

Ndërsa mbrojtja nuk ka pasur vërejtje në dokumentet e dosjes së prokurimit, mirëpo e njëjta ka paraqitur vërejtje në tri provat e tjera.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xh.S, avokati Mahmut Halimi gjykatës sërish i ka propozuar që të bëhet një ekspertizë lidhur me emailet e lartcekura pasi që sipas tij, të njëjtat janë në formatin PDF dhe se në to është e mundur të ndërhyhet.

“Duke paraqitur vërejtjet në saktësinë dhe vërtetësinë e atyre emaileve për shkak të mundësisë se nga formati i PDF lehtësisht mund të ndërhyhet dhe të futen përmbajtje të ndryshme. Unë jam i vetëdijshëm se na keni refuzu propozimin për caktimin e ekspertit të IT, por me respekt të veçantë trupit gjykues i drejtohem edhe njëherë që ta vlerësoni këtë sepse qëllimi propozimit tonë është vërtetimi sa më i drejtë i gjendjes faktike”, tha ai.

Ai gjithashtu ka propozuar që kjo provë të veçohet dhe të shpallet si e papranueshme me arsyetimin se është marrë nga L.D, i cili fillimisht në këtë rast ka qenë i akuzuar.

“Nga prova 2 rezulton se emailet e supozuara jo që janë kontrabanduar por janë vjedhur që tregon në një qëllim me shënjestër të drejtuar kah i akuzuari. Prova 4 për mendimin e mbrojtjes është provë e papranueshme për arsye se në kohën kur është marrë llaptopi dhe këto shënime të supozuara nga formati PDF, prokuroria më herët ka sjell aktvendim mbi fillimin e hetimit dhe i dyshuar në atë kohë ka qenë, pra në cilësinë e të pandehurit edhe L.D, i cili në kuadrin e deklarimit të tij ka pranuar tu dorëzoj edhe përmbajtjen e emaileve të cilat i ka pasur të regjistruara në llaptopin e tij”, tha ai.

Mirëpo ky propozim është kundërshtuar nga prokurorja Hajdari me arsyetimin se në formatin PDF është fakt notor dhe e njohur botërisht se nuk mund të ndërhyhet.

Ndërsa sa i përket shpalljes së provës së papranueshme sipas saj, prova ishte nxjerrë sipas Kodit të Procedurës Penale dhe bazuar në vendimin për sekuestrimin e llatpopit.

“Forenzika e Kriminalistikës nuk ka qenë në gjendje me hap llaptopin sepse paswordi ishte asisoj që nuk ka mujt me hap dhe në një situatë të tillë L.D, thotë mua më nevojitet ky llaptop për punë dhe unë do ti dorëzoj këto emaile vullnetarisht, e ka hap llaptopin dhe i ka dorëzuar emailet. Dhe ne e dimë që sipas KPP-së kur provat nga masat e fshehta mund të sigurohen në ndonjë mënyrë tjetër, në këtë rast janë siguruar me dorëzimin vullnetar të personit i cili i ka poseduar, dhe konsideroj që kjo nuk ka lidhje aspak me statusin e tij procedural”, tha ajo

Paraprakisht në seancë ka vazhduar dëshminë e saj dëshmitarja nga Zyra e BE-së, e cila ka pohuar se i akuzuari Xh.S si anëtar i komisionit pas përfundimit të vlerësimeve lidhur me tenderin e shpallur në kuadër të projektit “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, kishte refuzuar të nënshkruaj raportin përfundimtar.

Mirëpo, ajo tha se nuk ishte në njohuri për arsyet e mos nënshkrimit nga i akuzuari Xh.S, duke shtuar se kryetarja e komisionit vlerësues i kishte dërguar dy herë email për ta ftuar të njëjtin për nënshkrim, por se nuk kishte marrë përgjigje.

E pyetur nga avokati Halimi nëse Zyra e BE-së ishte njoftuar nga MTI për shkaqet e mos nënshkrimit të raportit nga i mbrojturi i tij, dëshmitarja tha se ekzistonte mundësia por se e njëjta nuk ishte në dijeni.

Ajo ka thënë se nuk ka përgjigje në pyetjen e avokatit Halimi nëse anëtari i komisionit ka të drejtë të ankimohet ndaj vërejtjeve për kryesuesen e komisionit.

Tutje, dëshmitarja ka deklaruar se anëtarja e komisionit në kohën e tenderit kritik,L.G, i ka takuar sektorit për energji dhe politika të transportit në kuadër të zyrës së BE-së.

Në pyetjen e avokatit Halimi “ndërsa, tenderi i cili është shpallur në atë kohë e që ka qenë rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit, për këtë fushë, a ka qenë e domosdoshme që të caktohen ekspert të lëmisë përkatëse?”, dëshmitarja u përgjigj se ajo është në diskrecion të shefit të kooperativës i cili sipas saj, është i autorizuar të caktoj dhe aprovoj anëtarët e komisionit vlerësues.

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e të akuzuarit Xh.S, dëshmitarja ka deklaruar se i gjithë dokumentacioni për tenderim ruhet në zyrën e BE-së, duke përshirë edhe dokumentacionin kur ka qenë i akuzuari Xh.S anëtar i komisionit.

Po, i gjithë dokumentacioni duke përfshirë dosjen e tenderit, raporti i vlerësimeve si dhe ofertat janë në arkivat e Zyrës së BE-së”, tha ajo.

Sipas dëshmitares anëtarët e komisionit me të drejtë vote gjatë vlerësimit të ofertave janë të obliguar për me i respektua kriteret e vlerësimit të ofertave.

E pyetur nëse i kujtohej që i akuzuari Xh.S kishte qenë kundër hapjes së ofertave financiare dhe kishte kërkuar të dilte nga zyra, dëshmitarja M.S tha se nuk ka pasur refuzim.

“Mua më kujtohet që tabela e vlerësimit është nënshkrua nga të gjithë anëtarët e komisionit me të drejtë vote, rrjedhimisht hapja e ofertave financiare është bo në po të njëjtën ditë sepse nuk ka pasur ndonjë arsye pse me shty, gjithashtu edhe tabela e vlerësimit të ofertave financiare është nënshkruar nga i gjithë komisioni vlerësues me të drejtë vote. Nuk ka pasur refuzim”, tha ajo.

Tutje i akuzuari Xh.S ka pyetur “A ju kujtohet që më keni thënë se nëse nuk hapen sot ofertat financiare, rrezikohet me u humb projekti me dështua komplet?”, ndërsa dëshmitarja u përgjigj “Jo nuk kam thanë sepse nuk ka pasur arsye, s’ka pas as afat të kontraktimit”.

Në fund i akuzuari ka paraqitur vërejtjet e tij në deklarimin e dëshmitares, duke shtuar se i njëjti kishte qen në presion nga ajo që të ndërronte poenat e vlerësimit në mënyrë që të mos humbej një projekt dy milionësh.

“Unë kam qenë në presion atë ditë prej dëshmitares, që nëse humb një projekt prej 2 milionë ose anulohet, atëherë kam mëndu që po rrezikohet edhe vendi i punës. Pra, krejt këto ditën e diskutimeve përfundimtare të projektit kam qenë në presion të vazhdueshëm prej dëshmitares, ku vetëm prej meje është kërkuar që me i ndërrua poenat e vlerësimit edhe prej A.M, ndërsa jo edhe prej L.G që e ka përkrah”, tha ai.

Ndryshe në seancën e 4 nëntorit gjykata kishte ndaluar video – incizimin dhe fotografimin si dhe kishte kërkuar që emrat e dëshmitareve nga Zyra e BE-së dhe të akuzuarit të publikohen me iniciale.

Seanca e radhës ku pritet të jepet mbrojtja nga i akuzuari është caktuar më 31 janar 2022 në orën 9:30.

Ndryshe, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe L.D, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, por që kjo aktakuzë ishte ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 korrik 2017, kishte refuzuar kërkesat e avokatëve mbrojtës të Xh.S dhe L.D për hudhjen aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndaj këtij aktvendimi, avokatët mbrojtës kishin parashtruar ankesa në Gjykatën e Apelit.

Më 25 korrik 2017, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xh.S, ndërsa e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të L.D me arsyetimin se ndaj L.D, nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i njëjti e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Pas kësaj, edhe Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur kundër aktvendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xh.S akuzohet se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA), e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportiť”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013, ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Xh.S, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar L.D, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.

Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, L.D i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xh.S, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013, kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësishtë fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.

Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Xh.S në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek L.D, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

Ai po akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë