Administrohen provat materiale në rastin ku Mimoza Kusari-Lila është paditur për shpifje

mimoza-kusari-lila
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shkurt 22, 2021

Gjakovë – Në seancën kryesore të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, janë lexuar provat materiale, në rastin ku ish-asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin Komunal të Gjakovës, tani drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë, Dervish Tahiri, e ka paditur për shpifje ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.

Me pretendimin se në një mbledhje të Kuvendit Komunal të Gjakovës të mbajtur në vitin 2019, Kusari-Lila ka shpifur ndaj paditësit Tahiri, tani ky i fundit po kërkon kompensim dëmi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të seancës, i autorizuari i paditësit, avokati Meshari Selimaj deklaroi se mbetet prapa parashtrimeve të bëra më herët në këtë çështje civile, ashtu që sipas tij pas leximit të provave materiale dhe përfundimit të kësaj procedure padia e palës paditëse të aprovohet në tërësi si e bazuar.

Në anën tjetër, i autorizuari i të paditurës, avokati Faton Qirezi, deklaroi se mbetet në tërësi prapa përgjigjes në padi dhe deklarimeve të deritanishme.

Pas kësaj, seanca ka vazhduar me leximin e provave materiale, ku ndër provat e lexuara ka qenë edhe një audio-incizim në të cilën dëgjohej e paditura Mimoza Kusari- Lila.

Më pas, avokati Meshari Selimaj deklaroi se fjalën përfundimtare do ta përgatisë në formë të shkruar, meqenëse sipas tij, ka nevojë që ta përgatisë me shkrim duke theksuar disa elemente të vecanta që e karakterizojnë këtë çështje.

Edhe avokati i Kusari-Lila, tha që fjalën e tij përfundimtare do ta përgatisë në formë të shkruar.

Më pas, gjykatësi, Malsor Kryeziu ka nxjerrë aktvendim me anë të së cilit i ka detyruar palët që t’ia dorëzojnë gjykatës fjalën përfundimtare në afat prej 5 ditësh.

Sipas padisë, në mbledhjen e dytë të Kuvendit të Komunës se Gjakovës të mbajtur më 4 mars 2019 e pranishme ishte edhe e paditura Mimoza Kusari Lila si qytetare- publik. Gjatë zhvillimit të seancës së kuvendit si pikë e rendit të ditës ka qenë edhe pika e shqyrtimit të propozim vendimit për ndryshimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Gjakovës i datës 27 tetorit 2015 për Shpalljen të Interesit Publik të Monumentit Kulturor dhe Historik “Kullës Sylejman Vokshi”.

Tutje, sipas padisë, e paditura, Kusari-Lila gjatë mbledhjes së kuvendit pa të drejtën e fjalës ndërhyn duke e ngritur zërin me akuza kundër ekzekutivit të Komunës dhe asamblistëve të koalicionit qeverisës lokal në Komunën e Gjakovës lidhur me këtë çështje. E paditura i drejtohet me një zë tejet të lartë dhe me një gjuhë shpifëse dhe fyese paditësit Dervish Tahiri, i cili ishte pjesë e publikut, duke ju drejtuar me fjalët: “ku është Dervish Tahiri le të del të tregon se cilat marrëveshje i ka bërë me krejt ata pronaret për ndërtim”, meqenëse e paditura është deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish- Kryetare e Komunës se Gjakovës dhe ka një reputacion të lartë politik dhe ndikim tek qytetarët e Komunës së Gjakovës deklarata e saj e cekur me lartë në prani të mediave dhe qytetareve të Komunës është në kundërshtim me Ligjin Civil Kundër Shpifjes Dhe Fyerjes, me çka i ka shkaktuar dëm paditësit në integritetin personal, profesional në reputacionin e tij dhe kompanisë ndërtuese që është bashkëpronar.

Sipas padisë, paditësi në mandatin e kaluar ka qenë anëtar i Kuvendit Komunal në Gjakovë në grupin e partisë politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe në mbledhjen e mbajtur të datës 27 tetorit 2015 si pikë e rendit të ditës ka qenë kërkesa për shpalljen e interesit të veçantë për parcelat rreth kullës “Sylejman Vokshi”, të cilën kërkesë e ka parashtruar ish- kryetarja e komunës këtu e paditura, në atë mbledhje paditësi ka marrë fjalën dhe ka kërkuar sqarime rreth kërkesës se pse 0.24 ha të ndahen për një projekt të tillë me vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore, dhe pse duhet të ndalet pikërisht në ata kufij apo sepse në kufi të këtyre ngastrave i keni pronat e familjes Kusari, që neve po na bëjnë të dyshojmë se ky shpronësim po i shërben familjeve që janë në kufi me këto ngastra, andaj kishte qenë mirë që të prezantohet projekti orgjinal se si do të duket kulla e heroit të kombit “Sylejman Vokshi” dhe mbi këtë bazë grupi i AAK-së e ka kundërshtuar dhe ka votuar kundër kësaj pike me iniciativën e paditësit për shkak të mungesës së dokumentacionin dhe për shkak të mos pëlqimit të pronareve te atyre parcelave.

Sipas padisë, Kusari-Lila me fjalët shpifëse dhe fyese siç janë të provuara me prova të bashkangjitura në këtë kërkesëpadi, ka shkaktuar dëm në personalitetin dhe integritetin personal dhe reputacionin e të paditësit, sepse i njëjti mbi 19 vite është i punësuar në administratën e Komunës së Gjakovës, dhe është bashkëpronar i kompanisë ndërtimore “EGZONI-D”, me seli në Gjakovë, cila kompani aktivitetet e saj i kryen në Komunën e Gjakovës dhe me shpifjet e të paditurës ka dëmtuar reputacionin e kompanisë. /BetimipërDrejtësi