Administrohen disa prova në gjykimin për dëmtim të kreditorëve e korrupsion ndaj biznesmenit me shtetësi angleze e tre të akuzuarve tjerë

Raporton: Agnesa HASANI

Mitrovicë – Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë- Departamenti për Krime të Rënda, janë administruar një pjesë e provave në gjykimin ndaj J.S., A.J., N.K. dhe I.Z.

Në këtë rast, biznesmeni J.S, po akuzohet për veprat penale “Mashtrim ose dëmtim i kreditorëve apo debitorëve” dhe “Falsifikim të dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me të, për të njëjtat vepra penale, akuzohet edhe A.J, kurse për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, akuzohen dy zyrtarët e Komunës së Vushtrrisë, N.K dhe I.Z.

Fillimisht kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Bekim Veliqi bëri të ditur se me këtë lëndë është ngarkuar më 2 tetor 2019, pasi e njëjta ka qenë e caktuar më parë te gjykatësi Burim Ademi.

Gjykatësi Veliqi i dorëzoi prokurores së rastit Natasha Radoviq një kopje të shkresave të lëndës EF.nr.2/2016 sipas urdhëresës së gjykatës të 25 tetorit 2021, për sigurimin e shkresave të lëndës EF.nr.2/2016 nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të gjitha këto në gjithsej 158 faqe të formatit A4 të shënuara me ngjyrë të kuqe e me numra rendor.

Ndërsa, të akuzuarit J.S. dhe A.J. kanë qenë në dijeni për këto prova dhe të njëjtat i kanë pasur në posedim pasi që vet i akuzuari A.J. ia ka prezantuar gjykatës me parashtresë të veçantë këto prova, ndërsa të akuzuarit N.K. dhe I.Z. thanë se këto prova nuk janë relevante.

Pasi të akuzuarit J.S., A.J., N.K. dhe I.Z. në seancën e 13 dhjetorit 2021 kanë deklaruar se nuk e ndjejnë vetën fajtorë, procedura gjyqësore ka vazhduar me administrimin e provave.

Prokurorja Natasha Radoviq ka deklaruar se mbetet pranë fjalës së saj hyrëse të dhënë në seancën e shqyrtimit gjyqësor më 15 mars 2016.

Në këtë seancë nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e palëve të dëmtuara, me arsyetimin si nga seancat e kaluara, pasi që të njëjtit thonë se nuk kanë kërkesa pasurore ndaj të akuzuarve.

Tutje, i akuzuari J.S. deklaroi se mbetet pranë deklarimeve të mëhershme dhe shtoi se deri më tani Prokuroria e Shtetit nuk e ka prezantuar asnjë provë që e vërteton fajësinë e tij dhe tha se është i bindur se gjatë kësaj procedure do të vërtetohet pafajësia e tij.

Ndërsa, i akuzuari A.J. deklaroi se mbetet pranë deklarimeve nga seancat e kaluara dhe shtoi se kjo aktakuzë nuk i përmbush as standardet minimale të përcaktuara me ligj dhe është kontradiktore dhe sipas tij në dispozitivin numër 4 ku akuzohet së bashku me J.S. është përcaktuar saktë koha e kryerjes së veprës penale të pretenduar dhe kjo datë është 31 dhjetor 2012, ndërsa prokuroria aktakuzën e ka mbështetur në nenin 398 të KPRK-së, ndërsa në nenin 444 të këtij Kodi thuhet se ky kod hyn në fuqi më 1 janar 2013.

Tutje ai shtoi se duke pasur parasysh se kjo vepër është paraparë me KPK edhe atë në nenin 332, paragrafi 3, ku parashihet dënimi deri në 3 vite, ndërsa te kapitulli i këtij Kodi tek neni 91 parashihet se ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur ka kaluar dyfishi i kohës së parashkrimit dhe kjo vepër sipas tij është parashkruar, dhe kërkoi nga gjykata që të shqyrtojë këtë pikë dhe të marrë vendimin e duhur.

Ndërsa, lidhur me pikat tjera të aktakuzës i akuzuari A.J. deklaroi se palët e dëmtuara në këtë gjykatë kanë deklaruar se janë paguar në tërësi dhe nuk janë më pjesë e këtij procesi e në bazë të kësaj, organi i akuzës duhet që të bëjë ricilësimin e veprës së mashtrimit.

Për me tepër, sipas të akuzuarit A.J. në dosje të lëndës nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar asnjë dëshmi për kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohen J.S., A.J., N.K. dhe I.Z, andaj shtoi se është i bindur se gjykata do të marrë vendim lirues bazuar në ligj.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit N.K. avokati Abit Asllani në fjalën e tij hyrëse deklaroi se në asnjë pikë të aktakuzës nuk ka prova dhe nuk ka mbështetje që kjo aktakuzë të mbetet ende në fuqi.

Ai shtoi se ndërkohë ka ndryshuar në tërësi edhe gjendja në bazë të provave të cilat janë në dispozicion.

“Ndërkohë edhe hipotezat e aktakuzës kanë ndryshuar në bazë të provave që kemi në dispozicion dhe kemi të bëjmë me një gjendje tjetër, ne e dimë që ky trup gjykues nuk ka të bëjë me zvarritjen  e gjykimit, kjo çështje është nisur në mënyrë të padrejtë e pa u mbështetur në prova dhe me enigma”, tha avokati Asllani.

I akuzuari N.K. deklaroi se e mbështet fjalën e mbrojtësit të tij.

Ndërsa, i akuzuari I.Z. deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë më 15 mars 2016, mirëpo shtoi se e njëjta hipotekë në drejtorinë për Kadastër është liruar në bazë të aktvendimit të Gjykatës Ekonomike dhe prona ka kaluar te personi i tretë, do të thotë tek pronari i ri.

Sipas tij, ai si administrator ka vepruar sipas Ligjit për Hipotekat, dhe shtoi se nuk është ekspert për të vërtetuar se një dokument a ka qenë i falsifikuar apo jo.

“Unë si administrator për lirimin e hipotekës kemi vepruar sipas ligjit për hipotekat sipas nenit 8, i cili parasheh që pas përfundimit të obligimeve nga kredimarrësi dhe kërkesës së bankës plotësohen kushtet për lirimin e hipotekës, ne nuk jemi ekspertë për të vërtetuar dokumenti i prezantuar a ka qenë i falsifikuar apo nuk ka qenë”, tha ai.

I njëjti shtoi se hipoteka është liruar me vendim të gjykatës.

“Për më tepër pas kërkesës së Standard Bankës pas këtij veprimi, në të cilën kanë deklaruar se dokumenti i prezantuar në Kadastër nuk ka qenë dokument i tyre në bazë të cilës është liruar hipoteka, Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër e ka kthyer hipotekën në sistem, e njëjta siç thash më parë është liruar me vendim të gjykatës, këto janë ato risitë që trupi gjykues të informohet”, tha I.Z.

Prokurorja Natasha Radoviq deklaroi se dëshmitarët Teuta Mulla-Ademi dhe Shpend Jashari janë dëgjuar ne cilësinë e dëshmitarëve në seancën e 15 marsit 2016 dhe kërkoi nga gjykata që të lexohen deklaratat e tyre të dhëna në atë seancë.

Të akuzuarit deklaruan se nuk kanë vërejtje dhe pajtohen që të lexohen deklaratat e këtyre dëshmitarëve.

Pas leximit të provave materiale, të akuzuarit u deklaruan lidhur me vërejtjet dhe kundërshtimet e tyre sa i përket këtyre provave.

Po ashtu, u lexuan edhe ekspertiza financiare e  12 korrikut 2017 dhe raporti i ekspertimit nga AKF i 17 gushtit 2016, për të cilat palët nuk kishin vërejtje.

Tutje prokurorja Radoviq deklaroi se sot nuk është e gatshme të vazhdohet me administrimin e këtyre provave, pasi që sot i ka pranuar të njëjtat dhe janë të përpiluara në gjuhën shqipe dhe i duhet kohë që t’i përkthejë dhe t’i shqyrtojë të njëjtat dhe të deklarohet lidhur me to.

Në këto rrethana seanca e sotme u shty dhe e radhës u caktua të mbahet më 7 mars 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Mitrovicës aktakuzën ndaj J.S, A.J, N.K dhe I.Z, e kishte ngritur më 30 korrik 2015, e cila më pas ishte konfirmuar dhe procesi gjyqësor kishte filluar qysh në mars të vitit 2016.

Ndryshe, sipas aktakuzës, J.S, si pronar i kompanisë “Coresteel SHPK” dhe “Coresteel  DMCC”, ka mashtruar dhe i ka shkaktuar dëm kreditorit “Standard Bank” (PCL) me seli në Londër- Britani e Madhe, duke lidhur disa marrëveshje ashtu që gjerë më 25 shtator 2014 kreditorit “Standard Bank” nuk i është paguar sipas marrëveshjes shuma totale prej 26.156.060,26 euro.

Me këto veprime, J.S, akuzohet për veprën penale “mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, prokuroria akuzon J.S, se në cilësinë e pronarit të kompanisë “Coresteel” dhe A.J, si zyrtar ligjor dhe agjent i regjistruar në këtë kompani,  në bashkëkryerje me të pandehurit R.S dhe D.H, kanë mashtruar dhe i kanë shkaktuar dëm kreditorit “Banka Kombëtare Tregtare” (BKT).

Siç thuhet në aktakuzë, J. dhe R.S, më 18 prill 2013 kanë lidhë marrëveshje për mbitërheqje dhe mbi pengun me BKT në vlerë prej 250 mijë euro dhe janë obliguar se minimumi i pengut që duhet të ruhej sipas kërkesës së kreditorit ka qenë 500 mijë euro dhe janë vonuar në kthimin e mbitërheqjes në shumë prej 250 mijë euro përfshirë këtu edhe kamatat, kurse kanë shfrytëzuar kolateralin e lënë peng-zink Ajax Bath: 157,860 700 tons @ 1700 euro/ton, në shumë prej 268 mijë euro, Warehouse Stock 178,018 tons @ 1700 euro/ton, në shumë prej 302 mijë euro, metal 99.99% ZN MIN, Lme Brend i regjistruar, tarifa e kodit 79011100 me vlerë të tregut 570 mijë euro.

Ndërsa, D.H dhe A.J, sipas aktakuzës kanë qenë në dijeni për dëmtimin e kreditorit dhe shfrytëzimin e kolateralit të lënë peng dhe shitjen e tij, por që nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim parandalues dhe me këtë kanë kontribuar në kryerje të veprës penale.

Me këtë, J.S dhe A.J, po akuzohen se në bashkëkryerje me të pandehurit R.S dhe D.H, kanë kryer veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale nën pikën I të dispozitivit.

J.S, akuzohet se më 16 shkurt 2014, në cilësinë e drejtorit të kompanisë së lartcekur ka lidhë marrëveshje mbi huan dhe mbi pengun me “Bankën Ekonomike” në cilësinë e huadhënësit në shumë prej 480,000.00 euro, ndërsa D.H, si menaxher i shitjes dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë “Coresteel SHPK” ka qenë garantues i kësaj marrëveshje dhe që të dy e kanë ditur se parcelat që janë lënë hipotekë nuk janë liruar nga hipoteka, me ç’rast është realizuar kredia në shumën prej 480 mijë euro dhe të dëmtuarës nuk i janë paguar obligimet sipas marrëveshjes.

Me këtë, J.S, akuzohet se në bashkëkryerje me D.H, ka kryer veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale nën pikën I dhe II të aktakuzës.

Tutje, prokuroria i ngarkon J.S dhe A.J se më 31 dhjetor 2012, J.S, kishte përpiluar një dokument të falsifikuar në lidhje me regjistrin që ruhet në bazë të ligjit-autorizimin dhe kërkesën për çregjistrimin të hipotekës në emër të “Standard Bank” drejtuar Komunës në Vushtrri-Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Zyra Kadastrale Komunale në Vushtrri, se J.S si huamarrës ka përmbushur të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshjet me kreditorin, siç theksohet në pikën I të dispozitivit, edhe pse nuk është paguar shuma totale prej 26.156.060,26 euro.

Ndërsa, A.J, akuzohet se me dije i ka përdorur ato dhe me T.M.A ka shkuar në Komunën e Vushtrrisë, pastaj dokumentet e falsifikuara janë prezantuar në Zyrën Kadastrale e cila më pas ka nxjerrë vendim mbi lirimin (shuarjen) e hipotekës, të datës 10 janar 2013.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 398, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e i akuzuari J.S në bashkim real me veprën penale nën pikën I, II e III të dispozitivit.

Ndërsa, dy të pandehurit tjerë, N.K dhe I.Z, akuzohen se si zyrtarë për gjeodezi dhe kadastër në Komunën e Vushtrrisë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që të përfitojë dobi i pandehuri J.S. Aty thuhet se N.K, si drejtori për gjeodezi dhe kadastër, ndërsa I.Z, si përgjegjës i sektorit në kadastër, edhe pse kanë qenë të obliguar sipas ligjit që të kontrollojnë dhe verifikojë dokumentet e nevojshme se a plotësohen kushtet për lirim të hipotekës së kredimarrësit “Coresteel SHPK” me pronar J.S, a i ka përmbushur të gjitha obligimet ndaj kredidhënësit “Standard Bank PLC” në Londër, ketë nuk e kanë bërë. Aty thuhet se të njëjtit kanë nënshkruar aktvendim mbi lirimin (shuarjen) e hipotekës, pa i përmbushur obligimet kredimarrësi.

Prokuroria i ngarkon ata se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 e lidhur me nenin 31. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë