Administrohen disa nga provat materiale në rastin ku 21 persona ngarkohen për krim të organizuar e vepra tjera penale

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë-Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten  janë administruar provat materiale të propozuara nga prokuroria, për dy aktakuza në gjykim ku 21 persona po ngarkohen për krim të organizuar dhe vepra tjera penale.

Në këtë rast Albert Fazliu, Advan Sopa, Perparim Fazliu, Arben Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Falziu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku, Petrit Morina, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Mentor Fazliu, Xhevahir Suma, Shefki Hyseni, Fadile Iseni, Kreshnik Sefedini dhe Drilon Fazliu po akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Me pajtim të të gjithë palëve u administruan të gjitha provat e precizuara në shkresën e prezantuar nga prokurorja çështjes Bina-Rugova sipas renditjes dhe atë fillimisht provat në rastin PPS.nr.42/19  të përfshira në 16 faqe  dhe PPS.105/13  të përfshira në 14 faqe, në disa prej të cilave patën vërejtje në kuptim të mbrojtjes, disa nga mbrojtësit e të akuzuarve në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, prokurorja ka dorëzuar gjykatës dhe mbrojtjes nga një kopje të shkresës elaborimi i provës PPS.nr.42/19 në 16 faqe si dhe elaborimet e provave PPS.105/13, në 14 faqe gjithashtu gjykatës ia ka dorëzuar një CD me foto të provave të skenuara.

Ndërsa, lidhur me aktakuzën  PPS.105/13, e njëjta tha që ka qenë një lëshim teknik që nuk është cekur cili ka qenë bashkëbiseduesi i Albertit Fazliut andaj të gjitha këto janë përfshira në 2 faqe janë biseda që Kreshnik Safedini i ka pasur me Albert Fazliun janë përfshira në dy faqe shtesë dhe të cilat do të ju dorëzohen gjykatës dhe mbrojtësve.

Për shkak se mbrojtësit e të akuzuarve Isa Rexhepi dhe Nuhi Mazreku, avokatët  Burhan Qosa dhe  Labinota Qosa Ilazi që në fillim të seancës së sotme kanë kërkuar leje për shkuarje në një varrim në rast të vdekjes në familjen e tyre.

Andaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Çerkini  mori aktvendim seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor ka përfunduar, ndërsa e  radhës do të vazhdojë me administrimin e provave sa i përket aktakuzës  me propozim për shqiptimin të masës për trajtim të detyrueshëm në ndalim… Mentor Fazliun me dy numra 105/13 dhe 42/19, po ashtu edhe përfshirë edhe dy faqet shtesë të shkresës së prokurores.

Seancat e radhës në këtë rast u caktuan më  4 dhe 14 korrik 2022.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe  Shefki Hyseni dhe Fadile Iseni, për të cilët, kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini ne seancën e kaluar ka bërë veçimin e procedurës

Ndryshe,Albert Fazliu, Advan Sopa, Perparim Fazliu, Arben Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Falziu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku, Petrit Morina, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Mentor Fazliu, Xhevahir Suma, Shefki Hyseni, Fadile Iseni, Kreshnik Sefedini, Drilon Fazliu akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ndryshe, në këtë çështje të akuzuarit për armëmbajtje pa leje janë Arben Hoxha, Kadri Pantina, Kreshnik Demaku dhe Besim Javori, kanë pranuar fajësinë dhe ndaj tyre gjykata ka shpallur aktgjykim.

Po ashtu, në këtë rast të akuzuar për armëmbajtje pa leje kanë qenë edhe Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Sami Kelmendi por që ndaj tyre ishte veçuar procedura dhe ndaj tyre gjykata ka shpallur një aktgjykim.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Edon Bytyqi, por në fazat e mëhershme ishte veçuar procedura nga gjykatësja Albina Shabani-Rama pas pranimit të njoftimit nga Stacioni Policor në Suharekë, sipas të cilit ai ndodhej jashtë vendit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 10 dhjetor 2019, ndaj 20 të akuzuarve për disa vepra penale.

Sipas aktakuzës Albert Fazliu, Advan Sopa, Përparim Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Fazliu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku dhe Petrit Morina, gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri më 24 korrik 2019, në Prishtinë dhe vende të tjera, duke vepruar si grup i organizuar kriminal si bashkim i strukturuar me dashje dhe qellim që të kryejnë veprën penale kanë vepruar në kundërshtim me ligjin mbi armët, duke importuar armë dhe municion.

I pandehuri Kimran Ibishev thuhet se nga Republika e Maqedonisë Veriore kishte siguruar furnizimin me armë dhe municion për të pandehurin Albert Fazliu dhe Milaim Shabani, përmes ndërmjetësuesit Advan Sopa, i cili kishte transportuar armët me veturën e tipit “Golf 5”, ku më pas të akuzuarit në bashkëpunim me njëri tjetrin këto armë i kishin dërguar në punëtorinë e tyre në Prishtinë dhe kishin bërë modifikimin e armëve nga armë me gaz në armë të llojit tjetër, ku më pas i kishin shitur te persona të ndryshëm, derisa nga masat e fshehta ishin gjetur armët nga ana e policisë.

Në bazë të kësaj aktakuzë, thuhet se më pas policia gjatë kontrollit që kishte bërë në shtëpitë e të pandehurve Fazliu në lagjen “Kodra e Trimave”, kishte gjetur dhe konfiskuar 10 pistoleta të armëve me gaz, vegla pune, pastrues të armëve, ndërsa të groposura nën oborrin e shtëpisë së të pandehurit Albert Fazliu kishin gjetur edhe 25 pistoleta, armë me gaz.

Ndërsa, Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Edon Bytyqi, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Sami Kelmendi akuzohen për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që në shtëpitë e tyre secilit veç e veç, u ishin gjetur armë dhe fishekë të ndryshëm pa leje nga ana e Policisë së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë