Administrata e Prokurorisë në Prishtinë vazhdon grevën: Nuk na garantuan se kërkesat do realizohen

Raporton: Albijona HOXHAJ

Pas tre javësh, Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës (SPJK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), kanë njoftuar se greva e punonjësve të administratës së gjykatave dhe prokurorive është pezulluar. Por, e njëjta nuk ndodhi në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Punonjësit e kësaj Prokurorie po e vazhdojnë grevën, me arsyetimin se nuk kanë arritur të realizojnë asnjë kërkesë dhe po ashtu nuk ua kanë garantuar se ato do të realizohen.

Burim Neziri, kryetar i Këshillit Grevist në Prokurorinë Themelor në Prishtinë, ka thënë se gjatë takimeve dhe konsultimeve me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe me përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor por edhe Prokurorial, iu kanë ofruar alternativat e tyre që do çonin deri te pezullimi i grevës, por që sipas tij nuk janë marrë parasysh.

“Kërkesë kryesore që do të ishte shkas për ndërprerjen e grevës ose pezullimin e grevës ka qenë garantimi nga ana e institucioneve, kryesisht nga Ministria e Drejtësisë për hartimin e ligjit për administratën gjyqësore dhe sigurimi i pjesëmarrjes së punonjësve të administratës në draftimin e këtij ligji, ku do të përfshiheshin në mënyrë të thukët kërkesat tona. Prandaj, nuk kemi marrë garancion nga këto institucione sa i përket pagesës në mënyrë lineare prej 150 eurove”, ka thënë Neziri në emisionin “De Jure” në Tëvë1.

Ai ka shtuar se KPK ka mbështetur kërkesat e tyre, por thotë se u injoruan nga Qeveria.

“Ne deri më sot nuk e kemi marrë asnjë përgjigje, do të thotë në tërësi Qeveria i ka injoru kërkesat tona, ndërsa KPK në parim e ka mbështet sepse kërkesat janë shumë reale, janë shumë të drejta”, është shprehur ai.

Për më shumë, ndiqeni emisionin “De Jure” me temën “Paqartësitë e grevës në sistemin e drejtësisë”, i cili transmetohet në Tëvë1 dhe “Betimi për Drejtësi”. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë