Adem Ibrahimi dëshmon në rastin ndaj tre të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim për prona

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në shqyrtimin gjyqësor ndaj të pandehurit Ramadan Kërqeli i akuzuar për veprat penale “falsifikimi i dokumentit” dhe “mashtrimi” si dhe të pandehurve Rrahim Ademi dhe Eroll Imami të akuzuar për veprën penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit”, u dëgjua dëshmitari Adem Ibrahimi.

Dëshmitari Ibrahimi, i propozuar nga prokurori i çështjes Arben Kadriu, në seancën e së premtes të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, deklaroi se i njeh tre të pandehurit në këtë çështje penale. Të pandehurin Ramadan Kërqeli ai tha se e njeh pasi që nga ky i fundit kishte blerë një pronë në Komunën e Novobërdës, të pandehurin Rrahim Ademi, ai tha se e njeh pasi që kanë punuar bashkë në këtë komunë, ndërkaq për të pandehurin Erroll Imami dëshmitari tha se e njeh vetëm si qytetar të Gjilanit. Lidhur me pronën e paluajtshme prej 87 ari, të cilën e kishte blerë nga tani i akuzuari Kërqeli, dëshmitari deklaroi se ky i fundit i kishte ofertuar çmimin prej 9000 euro, dhe pasi ishin dakorduar dhe kishin bërë matjet e ndarjen e parcelës nga ana e gjeodetit, kishin lidhur edhe kontratën mbi shitblerjen. Sa i përket çmimit, ai deklaroi se ka qenë çmim real i tregut , dhe se edhe sot shitet me të njëjtin çmim.

Dëshmitari në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Kërqeli, avokatit Ymer Huruglica deklaroi se kishte dëgjuar nga njerëzit se tani i akuzuari kishte mashtruar njerëz për prona, mirëpo këtë tha se e ka kuptuar pasi ai ishte ftuar nga policia për të dhënë dëshminë e tij në këtë rast.  Me këtë rast avokati Huruglica ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij të dhënë në Prokurori ku kishte thënë se “para se të ftonte policia kam dëgjuar nga njerëzit  se Ramadan  Kërqeli ka mashtruar njerëz me toka, një nga të mashtruarit jam edhe unë (…) ”. Përkitazi me këtë dëshmitari deklaroi se e vërteta është ajo që deklaroi sot dhe nuk shtoi asgjë më tepër, ndërkaq i’u tërhoq vërejtja nga Kryetarja e trupit gjykues Hysnije Gashi që në cilësinë e dëshmitarit duhet të deklaroj vetëm të vërtetën.

Në fund të seancës pala mbrojtëse, konkretisht mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Kërqeli, avokati Ymer Huruglica dhe mbrojtësi i të akuzuarit Erroll Limani avokati Abdullah Ismajli duke mbështetur propozimet e njëri tjetrit, i propozuan Gjykatës që në seancën e radhës të ftohen në cilësinë e dëshmitarëve të dëmtuarit Dobrijovo dhe Sllavko Vasiç për të cilët u konstatua  se nuk kanë dhënë deklaratë lidhur me këtë çështje as në polici e as në prokurori si dhe të ftohen në cilësi të dëshmitarëve edhe noterët Liliana Keniq dhe Naim Keka. Po ashtu, avokati Ismajli propozoi gjykatës që të dëmtuarve të tjerë Stojan, Bozhidar dhe Rade Vasiç t’u bëhet ekzaminimi i vijave papilare të gishtërinjve, pasi që në kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë është vënë shenja e gishtit të babait të tyre, tani të ndjerit Ratko Vasiç. Avokati këtë propozim e mbështetet me arsyen se ekziston dyshimi i bazuar që  të njëjtit mund të jenë të involvuar në këtë rast në mënyrë manipulative me pronën në fjalë.

Prokurori Kadriu, ndërkaq i kundërshtoi propozimet e mbrojtjes duke deklaruar se vetëm do të zvarritet procedura, sidomos me dy dëshmitarët e propozuar Dobrijovo dhe Sllavko Vasiç pasi që të njëjtit është konstatuar se janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe të moshës së shtyrë si dhe nga fakti që pikërisht për këtë arsye prokurori ishte tërhequr nga dëgjimi i tyre si dëshmitar.

Trupi gjykues i kryesuar nga Hysnije Gashi njoftoi palët se vendimi lidhur me propozimet e mbrojtjes do të komunikohet në seancën e radhës e cila u caktua për 11 nëntor 2016 në ora 09:30.

I pandehuri i parë në këtë çështje penale Ramadan Kërqeli akuzohet për veprën penale “falsifikimi i dokumentetit” sepse më 29 maj 2012, me dashje në bashkëkryerje me të pandehuri kanë përpiluar dhe me dije kanë përdorur dokumentin e falsifikuar, dhe atë kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë së tani të ndjerit Ratkok Vasiç. Të njëjtit kishin përpiluar kontratën në të cilën shitës e kanë cekuar Ratko Vasiç ndërsa si blerës të pandehurin  Ramadan Kërqeli dhe në vend të numrit personal real të letërnjoftimit të të ndjerit kanë vendosur një numër tjetër. Këtë dokument ata kishin arritur t’a vërtetonin në ish Gjykatën Komunale në Gjilan me ç’rast i pandehuri Ramadan Kërqeli e kishte bartur paluajtshmërinë në emrin e tij.

Gjithashtu Kërqeli akuzohet edhe për veprën penale “mashtrimi”, sepse më 8 qershor 2012, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve e ka mashtruar të dëmtuarin Adem Ibrahimi, në atë mënyrë që pasi e kishte kthyer në emrin e tij ia shet të dëmtuarit parcelën  prej 87 ari, për çmimin 9000 euro. Me këtë rast të dëmtuarve Vasiç u ka dëmtuar pasurinë në vlerë prej120,000 euro.

Të pandehurit Rrahim Ademi dhe Erroll Limani akuzohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sepse i pandehuri Rrahim Ademi në Zyrën e Kadastrit në Novobërdë, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën e tij, me dashje ka shkelur detyrat e tij në atë mënyrë që paplotësuar kërkesën me shkrim dhe pa vërtetuar identitetin e personit, ka lëshuar certifikatën nr.59 dhe atë pas përfundimit të orarit të punës .

I pandehuri Erroll Limani në cilësinë e personit zyrtar, referent për vërtetimin e kontratave në Gjykatën Themelore (ish komunale) në Gjilan, me dashje ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkelur detyrat e tij, në atë mënyrë që pa verifikuar mirë dokumentacionin e lidhur për vërtetimin e kontratës së shitblerjes dhe pa bërë identifikimin e shitësit dhe poashtu pa konstatuar fare se personi i evidentuar në këtë rast i ndjeri Ratko Vasiç, është analfabet dhe në vend të nënshkrimit të tij ka vënë shenjën e gishtit ,i pandehuri e ka vërtetuar kontratën e shitblerjes me të cilën i mundësohet të pandehurit Ramdan Kërqeli që të bëjë bartjen e paluajtshmërisë në emër të tij.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë