AAB kërkon 3 mijë e 600 euro pse shkëputi njëanshëm kontratën ish-profesori, ky i fundit kërkon hudhjen e padisë

Raporton – Albina KRASNIQI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten është mbajtur seanca në rastin ku Kolegji AAB po kërkon nga ish – punëtori i saj Muhamet Avdyli  kompensimin e dëmit në vlerë prej 3 mijë e 600 euro në emër të shkëputjes së kontratës.

Fillimisht përfaqësuesi i paditëses, avokati Granit Curri tha se qëndron pran padisë dhe deklarimeve të dhëna në të njëjtën si dhe i propozoi gjykatës që pas administrimit të provave të vendos si në petitumin e kërkesëpadisë.

Curri tha se i padituri në muajin qershor të vitit 2017 duke mos respektua kontratën që kishte me paditësin ka bërë shkëputjen e njëanshme të kontratës pa paralajmërim duke e dëmtuar paditësin Kolegjin AAB, më konkretisht duke e dëmtuar fakultetin e shkencave kompjuterike pasi që në të njëjtin kishte punuar i padituri sepse në këtë fakultet ishte i rregullt.

Tutje, Curri tha se Kolegji AAB ka dështuar si punëmarrës që ta kalojë procesin e verifikimit nga Agjencia për Akreditim i Kosovës pasi që Avdyli në të njëjtën kohë kishte themeluar dy marrëdhënie pune, njërën me Kolegjin AAB ndërsa tjetrën me një Kolegjin UBT dhe se një veprim i tillë është në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe rregullat për akreditim.

Në pyetjen e gjyqtarit Dardan Kadolli se a ka qenë në kontratë e përcaktuar që i padituri nuk mund të krijoje dy marrëdhënie pune të rregullta, avokati Curri është përgjigjur duke thënë se një gjë e tillë është e rregulluar me Ligjin e Punës që nuk lejohen dy marrëdhënie të rregullta të punës  dhe tha se të njëjtit për këtë fakt nuk kanë qenë të njoftuar nga i padituri dhe se për këtë gjë të paditurës i është shtyrë procesi i akreditimit.

Ndërsa në pyetjen e gjyqtarit Kadolli në lidhje me provën përmes të cilës dëshmoni se agjencia kishte dal në përfundim se i padituri kishte dy kontrata pune përfaqësuesi i paditësit Curri është përgjigjur duke thënë se provën do t’ua dërgojë me parashtresë.

Në anën tjetër, i padituri Avdyli tha se e paditura ka qenë e njoftuar përmes e-mailit të datës 15 qershor 2017 se i njëjti kishte një marrëdhënie të rregullt pune me një institucion tjetër arsimor mirëpo paditësi i është përgjigjur duke thënë se me rëndësi është kontrata e fundit dhe nuk ka rëndësi nëse ka edhe një kontratë tjetër.

Avdyli tha se edhe pse e ka informuar paditësin me datën 15 qershor 2017 që dëshiron ta shkëpus marrëdhënien e punës ai ka punuar efektivisht deri në shkurt të vitit 2018, fakt i cili dëshmohet nga pasqyra e trustit dhe i njëjti shtoi se gjatë kësaj periudhe ka kryer të gjitha obligimet sipas kontratës.

I njëjti më pas ka thënë se e ka shkëputur kontratën me Kolegjin AAB për arsye se të njëjtit i kanë bërë presion për faljen e notave dhe për faktin se nuk ia kanë dhënë titullin profesor asistent, titull ky që u është dhënë kolegëve që nuk i kanë pasur të nostrifikuara diplomat e doktoratës.

“Unë e kam shkëputur kontratën e punës me paditësin për shkak se të njëjtit më kanë bërë presion lidhur me faljen e notave dhe për faktin se nuk më kanë dhënë titullin profesor asistent, kurse ky titull i është dhënë kolegëve të mi që nuk e kanë pasur të nostrifikuar diplomat e doktoratës”, tha ai.

Në pyetjen e gjykatësit Kadolli se a e ka njoftuar gjykatën për shkëputjen e kontratës së punës, Avdyli ka thënë se përmes e-mailit që ai e kishte dërguar me datën 15 qershor 2017 e ka njoftuar të paditurën lidhur me këtë fakt.

Avdyli gjithashtu tha se ai nuk ka punuar në fakultetin e shkencave kompjuterike mirëpo në fakultetin ekonomik gjë që mund të vërtetohet edhe me kontratën e punës si dhe se Kolegji AAB nuk e ka humbur akreditimin si rezultat i largimit të tij sepse ai kishte ofruar edhe një koleg të tij i cili ende edhe sot punon në të njëjtin vend dhe për këtë arsye nuk ka ndonjë variant që paditësja të ketë humbur akreditimin për këtë arsye.

Më tutje, ai ka thënë se  të njëjtit bëjnë krim në arsimin e Kosovës si dhe u bëjnë akuza për ngacmime seksuale profesorëve të ndershëm ku në lidhje me këtë avokati Curri ka kërkuar nga gjykata që të merr masa ose në të kundërt Avdyli do të përballet me padi për shpifje.

Më pas, avokati i paditësit Kolegjit AAB, Curri tha se paditësi më 13 qershor 2017 i kishte dërguar e-mail të paditurit dhe ka kërkuar që ky i fundit të bëjë sqarimin lidhur me marrëdhënien e punës duke i dërguar një e-mail agjencinë dhe me datën 15 qershor dy ditë më vonë i padituri ka dërguar një e-mail paditësit duke e njoftuar se ai ka një marrëdhënie të rregullt pune me një institucion tjetër.

Curri thotë se më pas i padituri ka dërguar edhe një e-mail tjetër duke e future në “cc” edhe Agjencinë e Akreditimit edhe institucionin tjetër duke e sqaruar angazhimin e tij dhe i njëjti tha se me këtë rast kontrata e paditësit është shkëputur me efekt të menjëhershëm.

Në lidhje me pagesat të cilave iu referua i padituri Avdyli, avokati Curri tha se janë honorare të paguara diku si anëtar i temave të masterit, diku si kryetar, diku si mentor apo edhe anëtar i komisioneve pasi që në këto komisione ka qenë i caktuar sepse Kolegji AAB nuk e bën ndërrimin e anëtarëve të komision me qëllim që të mos dëmtohen studentët.

Seanca e radhës do të mbahet me 24 shkurt.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 14 korrik 2017, Kolegji AAB ka lidhur kontratë pune me të paditurin më 12 prill 2017 si mësimdhënës i rregullt në Fakultetin Ekonomik, kjo kontratë e punës ka filluar të aplikohet prej datës 1 mars 2017 me kohëzgjatje deri më 30 shtator 2020, si dhe i padituri ka plotësuar deklaratën për angazhim akademik, deklaratë kjo e cila dorëzohet ne Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe si  punëdhënës primar ka paraqitur Kolegjin AAB, Fakultetin Ekonomik.

Në padi thuhet pas verifikimit të stafit nga Agjencia e Stafit për Akademik, është konstatuar se disa profesor kanë pasur nga dy punëdhënës primar dhe për ta rregulluar këtë çështje, paditësi me datën 13 qershor  u ka dërguar e-mail profesorëve duke kërkuar nga të njëjtit sqarimin e kontratës së tyre.

Sipas padisë, i padituri Muhamet Avdyli në përgjigje të e-mailit, më 15 qershor 2017 ka konfirmuar se ka marrëdhënie të rregullt pune me një institucion një tjetër arsimor dhe sipas padisë kjo paraqet një shkëputje të njëanshme të kontratës së punës dhe është në kundërshtim me nenin 10 të kontratës.

Mbi këtë bazë, Kolegji AAB ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet i padituri Muhamet Avdyli që paditëses në emër të kompensimit të dëmit të shkaktuar nga shkëputja e njëanshme e kontratës t’ia paguajë shumën e barabartë me tri paga prej 3 mijë e 600 euro me kamatë ligjore prej 8% nga dita e shkëputjes së kontratës deri në pagesën definitive si dhe shpenzimet procedural.

Në anën tjetër, në përgjigjen në padi të dhënë më 24 nëntor 2021 thuhet se i padituri Muhamet Avdyli i ka rikujtuar të paditurës me e-mailin e datës 15 qershor 2017 lidhur me marrëdhënien e punës që e kishte me një institucion tjetër ndërsa e paditura i është përgjigjur duke thënë se kontrata me AAB është e fundit dhe ashtu mbetet. Në këtë e-mail thuhet se Avdyli e ka njoftuar Kolegjin AAB se do ta ndërpresë kontratën me të duke e specifikuar se do t’i përfundojë të gjitha detyrimet lidhur me të paditurën.

Sipas përgjigjes në padi, njoftimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është bërë me kohë  me që i padituri ka vazhduar angazhimin edhe për 6 muaj tjerë dhe kjo vërtetohet me pagesat e bëra nga e paditura në mars të vitit 2018.

Tutje në përgjigje në padi thuhet se në përputhje me kontratën si dhe me Ligjin e punës, nenin 69 lidhur me ndërprerjen e punës nga punëmarrësi specifikohet edhe koha dhe mënyra e ndërprerjes së punës e cila në këtë rast është saktësisht në përputhje me njoftimin të cilin i padituri i ka dërguar.

Mbi këtë bazë, i padituri Avdyli që ta refuzojë padinë dhe kërkesëpadinë si të pabazuar dhe ta obligojë paditësen ti mbuloj shpenzimet procedural./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë