800 euro gjobë dhe një vit burgim me kusht, pranoi se ia vendosi armën në fyt viktimës

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – I akuzuari R.Sh është dënuar me 800 euro gjobë dhe një vit burgim me kusht pasi e ka pranuar fajësinë se më 15 nëntor 2019, në rrugën “Beqir Kastrati” në Gjakovë, në fitnesin “Gym One” e ka kanosur të dëmtuarin Xh.A. me armë duke i drejtuar të njëjtën në fyt.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Ilir Rashkaj, i akuzuari Sh. për armëmbajtje pa leje është dënuar me 800 euro gjobë, ndërsa për kanosje me 1 vit burgim me kusht.

Dënimi me burgim ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 2 vitesh.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 maj të këtij viti, i akuzuari është deklaruar fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohej.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se R.Sh., më 15 nëntor 2019, në Gjakovë, në rrugën “Beqir Kastrati”, seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra dhe veprime se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, të dëmtuarit Xh.A.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që natën kritike rreth orës 21:00, në fitnesin “Gym One”, derisa i dëmtuari bashkë me shokun e tij shkojnë për t’u ushtruar, dhe me të filluar me ngritje të peshave të rënda, u është kërkuar nga menaxheri i fitnesit, përkatësisht i akuzuari, që t’i lëshojnë më ngadalë dhe mos të bëjnë zhurmë, ashtu që pasi i njëjti ka përsëritur kërkesën ndaj tyre duke ua tërhequr vërejtjen, atëherë u ka kërkuar punëtorëve të fitnesit që t’ua anulojnë kartelat.

Tutje sipas aktakuzës, meqenëse i dëmtuari ka kërkuar arsye për këtë, menjëherë ka reaguar i  njëjti duke i thënë “Prit se tash të tregojë”, dhe ka shkuar tek zhveshtorja ku kthehet me një pistoletë në dorë të llojit “TTM 57”, duke ia drejtuar në fyt dhe i kërkon të dëmtuarit që të del jashtë duke i thënë: “Të vras këtu si qenin, hajde ec, del jashtë nga këtu”, me çka në këtë mënyrë tek i dëmtuari ka shkaktuar ankth, shqetësim dhe frikë serioze për jetën dhe trupin e tij.

Më këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

I njëjti ngarkohet edhe për mbajtjen pa leje të armës së lartcekur dhe një karikator dhe tre fishekë.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë