8 MUAJ BURGIM DHE 300 EURO GJOBË PËR TRE TË AKUZUARIT NË RASTIN E DALLAVEREVE ME PATENTË SHOFERË

Raporton: Gita LUSHI

Prishtinë –  Tetë muaj burg dhe 300 euro gjobë, është verdikti që Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë të martën  ndaj  të akuzuarve Muhamet Karamet, Bekim Gjeli  dhe Viola Mujaj-Sokoli, pasi të njëjtit u shpallën fajtor në rastin e dallaveret me lëshimin e patentë shoferëve.

Të akuzuarit Muhamet Karameta  dhe Bekim Gjeli, sipas aktgjykimit të trupit gjykues, të kryesuar nga Beqir Kalludra, janë dënuar me nga 4 muaj burgim, me mundësi të shndërrimit të këtij dënimi në gjobë prej 1500 eurosh.

Ndërsa e akuzuara tjetër, Viola Mujaj-Sokoli, e cila akuzohej nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për dhënie të certifikatës së rremë të mjekut në ordinancën “Rea”  pa u kontrolluar fare nga oftamologu,  u dënua me 300 euro gjobë.

Ky aktgjykim ndaj tre të akuzuarve për veprat penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “dhënie ose përdorim i certifikatës së rremë të mjekut” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”, sipas gjyqtarit Kalludra, është marr duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese  pas pranimit të fajësinë nga ana e tyre.

Sipas tij, nëse dy të pandehurit pajtohen që dënimin prej katër muaj burgim ta paguajnë me gjobë.

Gjykata udhëzoj të dëmtuarit e këtij rasti që për realizimin e kërkesës pasurore- juridike të drejtohen në kontest civil.

Pas shpalljes së aktgjykimit, mbrojtësit e Muhamet Karamelit dhe Bekim Gjelit, avokatët, Fatlum Podvorica dhe Nikë Shala njoftuan gjyqtarin Beqir Kalludra se klientët e tyre pajtohen  që dënimi me burg të shndërrohet në gjobë.

Ndryshe, pranimi i fajësisë nga të pandehurit Muhamet Karameta, Bekim Gjeli dhe Viola  Mujaj-Sokoli ishte bërë të hënën gjatë seancës fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Haibe Salihu.

Ndërsa, tre të akuzuarit tjerë të këtij rasti, Nexhat Shala, Kadrush Kameri dhe Ismet Muhaxheri, kanë mohuar akuzat, duke bërë që shqyrtimi gjyqësor ndaj tyre vazhdoj më 1 shtator në ora 13:00.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngarkon të pandehurin Nexhat Shala me veprën penale “Mashtrimi”, pasi që i njëjti pretendohet se ka mashtruar të dëmtuarit Drilon Thaçin, Mursel Smajlin, Shaban Maliqin, Ylber Drenicën dhe Driton Hajdarin në vlerë totale prej 1550 eurove duke i ndihmuar në marrjen e patentë shoferit.

Tutje i njëjti ngarkohet edhe për “ushtrim të ndikimit”, pasi që ka ushtruar ndikim tek instruktorët Kadrush Kameri dhe Ismet Muhaxheri, të akuzuar në këtë rast, duke nxjerrë certifikata mjekësore për të dëmtuarit e lartpërmendur me qëllim që t’iu ndihmoj në dhënien e provimit për patentë shofer.

I pandehuri Kadrush Kameri akuzohet për “dhënie ose përdorim i certifikatës së rremë të mjekut”, pasi që i njëjti ka siguruar për të pandehurin Shala, certifikatat e të dëmtuarve për regjistrimin e patentë shoferit, duke e ditur se ato certifikata janë të rreme. Në vijim, Kameri akuzohet edhe për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” meqenëse në cilësinë e inspektorit ka vazhduar t’i marrë shumën prej 150 eurove, të dëmtuarit Thaçi për të hyrë në provim.

Ndërkaq të pandehurit Ismet Muhaxheri në cilësinë e pronarit dhe instruktorit të autoshkollës si dhe Muhamet Karameta, në cilësinë e menaxherit në ordinancën “Rea” akuzohen për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, pasi që të njëjtit kanë lëshuar certifikatat mjekësore në emër të të dëmtuarve për patentë shofer pa u kryer fare kontrolla mjekësore.

Dispozitivi i pestë i aktakuzës e ngarkon Bekim Gjelin, për “falsifikim të dokumentit zyrtar”, pasi që ka falsifikuar dokumentin në emër të Dr. Skënder Boshnjakut, duke nënshkruar certifikatën mjekësore, pa qenë fare prezent mjeku .

Dispozitivi i fundit i aktakuzës e ngarkon të pandehurën Viola Mujaj – Sokoli, për veprën penale “dhënie ose përdorim i certifikatës së rremë të mjekut”, për shkak se e njëjta ka lëshuar certifikata të rreme për Visar dhe Blerim Shalën, në ordinancën “Rea”  pa u kontrolluar fare nga oftamologu.

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë