8 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë pasi pranoi se vodhi dy laptopë, disa USB dhe një biçikletë

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- I akuzuari G.P, është dënuar me 8 muaj burgim dhe një mijë euro gjobë, pasi pranoi fajësinë se në mars të këtij viti kishte hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit I.B dhe kishte vjedhur dy laptopë, disa USB dhe një biçikletë.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan nga gjykatësi Selman Salihi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej tetë muajve ndaj të akuzuarit G.P, do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, me ç’rast të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 29 marsit deri më 13 qershor 2022.

Po ashtu, dënimi me gjobë prej 1 mijë euro ndaj të akuzuarit, do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndërsa, në rast se dënimi me gjobë nuk realizohet as me detyrim, gjykata të njëjtin do ta zëvendësojë me dënim më burg konfrom nenit 43, paragrafi 3 të KPRK-së.

Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari po ashtu obligohet që ta paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 30 euro dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërsa, i dëmtuari I.B për kërkesën pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe L.H dhe D.I, mirëpo ndaj tyre është veçuar procedura në shqyrtimin fillestar, pasi të njëjtit pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, më 24 mars 2022, rreth orës 07:10, në rrugën “Avdi Avdiu”, në Lipjan, akuzuari G.P me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, për vete, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së tani të dëmtuarit I.B, përmes derës se hyrjes e cila nuk ka qenë e mbyllur me çelës ka depërtuar në brendi të shtëpisë dhe përveç demolimit të gjësendeve i njëjti ka marrë dy laptopë me gjithë çantë dhe disa USB, dhe ka dalë në oborrin e shtëpisë ku edhe ka vërejtur një biçikletë të cilën e dhe e ka marrë dhe është larguar nga aty në drejtim të Gjilanit.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale ” Vjedhje” nga nenin 313, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, të dyshuarit L.H. dhe D.I, pasi që paraprakisht kishin rënë në kontakt me tani të dyshuarin G., të njëjtit edhe pse e kishin ditur ose kanë pasur mundësi ta dinin se laptopët e ofruar për blerje nga i dyshuari G. ishin si rezultat i kryerjes së veprës penale, pa hezitim i dyshuari L. e kishte blerë mjetin nga ta në shumë prej 80 euro, ndërsa i dyshuari D.I. në ndërkohë e kishte blerë laptopin tjetër në vlerë diku rreth 400 euro.

Me këtë, secili veç e veç akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerje, pranim ose fshehje e sendeve të perfituara nga kryerja e veprës e veprës penale” nga nenin 333 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë