750 euro gjobë me kusht ndaj tre të akuzuarve për kalim ilegal të kufirit

Foto nga gjykimi 29 prill 2021, kalim ilegal kufiri
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Prill 29, 2021

Podujevë – Të enjten, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Afrim Mehmeti, Jeton Mehmeti dhe Abedin Halimi, për kalim ilegal të kufirit.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjykatësi Minir Hoti, me të cilin, të akuzuarit veç e veç janë dënuar me 250 euro gjobë me kusht, por ky dënim nuk do të ekzekutohet në afat verifikimi prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, të njëjtit janë obliguar të paguajnë shpenzimet e procedurës penale, dhe atë, 30 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe nga 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Ky aktgjykim u shpall pasi ata pranuan fajësinë për veprën penale me të cilën i ngarkon aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Të akuzuarit në fjalë, mes tjerash në deklaratat e tyre të pranimit të fajësisë kanë theksuar se nuk e kanë njohur terenin, e si rrjedhojë nuk e kanë ditur se kanë kaluar në territorin e Serbisë, pasi sipas tyre nuk ka asnjë shenjë paralajmëruese.

Pranimin e fajësisë së tyre nuk e ka kundërshtuar prokurori Ali Ajdini, i cili më pas është aprovuar edhe nga gjykatësi i çështjes, Minir Hoti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 mars 2021, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës,  Afrim Mehmeti, Jeton Mehmeti dhe Abedin Halimi akuzohen se më 14.09.2020, rreth orës  19:50, kanë kaluar në pikë kufitare të paautorizuar të kufirit shtetëror nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që me traktorin e tipit SAM me gjysmë rimorkio të ngarkuar me dru, arrijnë në brendësi të territorit të Kosovës dhe në koordinatat EN-20741/51704, janë ndaluar nga Policia e Kosovës.

Për këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “kalim i paauorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi