600 euro gjobë pasi pranoi se mori drunjtë shënjues të varrezave dhe i dogji

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, e ka dënuar me 600 euro gjobë të akuzuarin  se në prill të 2020-ës, i ka marrë disa drunjë shënjues në disa varre, në të cilat janë të shënuara shënimet e të vdekurve, të cilat më pas i ka djegur afër varrezave të fshatit Vërban.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të enjten, gjykatësi Nexhat Aliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Aliu, i akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës, dhe atë në shumë prej 20 euro.

Deri tek ky dënim ka ardhur pasi i pandehuri në seancën e shqyrtimit fillestar ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej.

Sipas aktakuzës së ngritur me 6 korrik 2020, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, E.R. akuzohet se më 14 prill 2020, rreth orës 23:50, në fshatin Vërban, Komuna e Vitisë, në bashkëkryerje me të miturin A.R., ka dëmtuar vendvarrimet e fshatit.

Sipas akuzës, A.R, i ka marrë disa drunjë shënjues në disa varre, në të cilat janë të shënuara shënimet e të vdekurve, të cilat më pas i ka djegur afër varrezave të fshatit, me çka i ka dëmtuar, hequr dhe shkatërruar disa vendvarrime të fshatit Vërban.

Me këto veprime, E.R, akuzohet se ka  kryer veprën penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” nga neni 413, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë