600 euro e gjobë ndaj të akuzuarit që në ANP “Adem Jashari” e goditi me grushte e i shkaktoi lëndime trupore punëtorit

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e ka dënur me 600 euro gjobë të akuzuarin T.Sh, për akuzën se e kishte goditur me grushte të dëmtuarin G.A, duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor.

Aktgjykimin ndaj të akuzuarit T.Sh, e shpalli të mërkurën gjykatësi Avdirrahman Gashi në mungesë të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimi me gjobë ndaj të akuzuarit T.Sh do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, kurse në rast të mospagesës, dënimi me gjobë do t’i zëvëndësohet me dënim me burg.

Sipas aktgjykimit, i dëmtuari G.A udhëzohet që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest të rregullt civil.

Ndryshe, i akuzuari e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar, të mbajtur në po të njëjten ditë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Ajdini.

Gjatë deklarimit të tij, i akuzuari ka thënë shtuar se i kërkon falje të dëmtuarit publikisht dhe që të njëjtit i ka kërkuar falje edhe në atë kohë në aeroport.

Ndërsa, ka shtuar se edhe sjellja e të dëmtuarit nuk kishte qenë e mirë.

I akuzuari deklaroi se ndihet i penduar dhe nuk është dashur të veprojë si ka vepruar, andaj e luti gjykatën që t’i shqiptojë një dënim sa më të butë, pasi siç ka thënë ai është mbajtës i familjes dhe është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, është pajtuar prokurori Ajdini dhe si i tillë është aprovuar nga gjykatësi Avdirrahman Gashi.

Po ashtu, i akuzuari detyrohet që kësaj gjykate në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor t’ia paguajë shumën prej 20 euro, si dhe për Fondin e Viktimave të Krimit shumën prej 30 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 tetor 2021, i pandehuri T.Sh ngarkohej se më 6 gusht 2021, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në Sllatinë të Komunës së Lipjanit, derisa i dëmtuari G.A ishte duke kryer punët e tij në chek-in në hapësirën e aeroportit, i pandehuri me qëllimin të shkaktimit të lëndimeve trupore, të dëmtuarin e godet me grushte në kokë dhe fytyrë, me ç’rast i shkakton ënjtje në anën e majtë të fytyrës dhe gëvishtje në anën e pasme të kokës, të shkaktuara nga veprimi mekanik mjetit të fortë mbretës (jo i mprehtë), që si të tilla kualifikohen si lëndim i lehtë trupor me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.

Në aktakuzë thuhet se e gjithë kjo kishe ndodhur pasi i pandehuri i ishte drejtuar në mënyrë agresive me fjalët “punoni më shpejtë, çka janë këto punë” dhe derisa i dëmtuari kundërpërgjigjet duke i thënë “se jemi duke kryer punën tonë siç kërkohet” dhe që të mos bërtiste, më pas i pandehuri me arrogancë, i mllefosur kishte hyrë në hapësirën ku punonte i njëjti.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafti 1, pika 1.4 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë