500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë ndaj anëtarit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Lulzim Zeneli, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës është dënuar me 500 euro gjobë, pasi e ka pranuar fajësinë për mosdeklarim të pasurisë.

Zeneli akuzohej se në cilësi të prorektorit nuk e kishte deklaruar pasurinë pas përfundimit të detyrës, kurse në cilësi të anëtarit të Këshillit Drejtues të Universitetit nuk e ka deklaruar pasurisë pas marrjes së detyrës.

Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësja Diana Sina, i akuzuari gjobën është i obliguar që ta paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas gjykatëses, në rast se i njëjti nuk mundet apo nuk dëshiron ta paguaj gjobën, e njëjta do t’i zëvendësohet me dënim me burgim, duke ia llogaritur 20 euro një ditë burg.

Paraprakisht, në seancën fillestare të mbajtur paraditen e së enjtes, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Anton Hasanaj, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai tha se ka menduar se nuk ka nevojë ta deklaroi pasurinë, pasi që ka vazhduar të punojë në të njëjtin institucion por në një funksion tjetër.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Lulzim Zeneli, në cilësi të prorektorit dhe anëtarit të Këshillit Drejtues në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, me dashje nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda 30 ditëve pas përfundimit të detyrës si prorektor 04.06.2021, obligim ligjor ky i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik sipas nenit 10 të Ligjit Nr.04/L-050, përkundër faktit se ka qenë i njoftuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë pas përfundimit të funksionit.

Tutje sipas aktakuzës, sipas vendimit të Senatit të Universitetit të datës 07.06.2021, është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës, ku mandati i tij kishte filluar nga 1 tetori 2021, por i njëjti prapë nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh me rastin e marrjes së detyrës së zyrtarit të lartë publik, obligim ky ligjor i paraparë me nenin 7 të Ligjit Nr.04/L-050, përkundër faktit se ka qenë i njoftuar paraprakisht dhe në dijeni për një obligim të tillë.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale, ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë