500 euro gjobë pasi pranoi se ia mori paratë por nuk ia rezervoi pushimet në Turqi

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë – G.L është dënuar me 500 euro gjobë pasi e ka pranuar se ka mashtruar të dëmtuarin duke mos ia rezervuar pushimet në Turqi pavarësisht se ia kishte marrë paratë.

Aktgjykimi dënues ndaj G.L është marrë të enjten në Gjykatën Themelore të Pejës, ku i akuzuari fillimisht u dënua me 3 muaj burgim dhe 200 euro gjobë, por me pëlqimin e tij, dënimi me burg i zëvendësohet në 500 euro gjobë në tërësi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpalljen e këtij aktgjykimi e bëri gjyqtari i çështjes Sejdi Blakaj, pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit G.L.

Tutje, pas leximi të aktakuzës, i akuzuari G.L deklaroi se ndihet fajtor për veprën penale që i vihet barrë, duke i premtuar gjykatës që një gjë e tillë nuk do të përsëritet.

Me pranimin e fajësisë u pajtua edhe mbrojtësja e të akuzuarit G.L, avokatja Pranvera Zhara,  duke deklaruar që një pranim i tillë ishte bërë pa presion dhe me vullnetin e tij të lirë, e duke i propozuar gjykatës që t’i vlerësojë rrethanat lehtësuese dhe ndaj të mbrojturit të saj të shqipton dënim me gjobë.

Po ashtu prokurori Bajraktari u pajtua me pranimin e fajësisë pasi që i njëjti kishte mbështetje në provat e shkresave të lëndës, ku i propozoi gjykatës ta vlerësojë dhe ta çmojë atë.

Ndryshe, sipas akuzës së ngritur me 12 Shtator 2018, nga Prokuroria Themelore e Pejës, e ngarkonte G.L, që me 30 qershor 2018, në Pejë, me dashje dhe me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, mashtron të dëmtuarin G.D.

Sipas akuzës, të dëmtuarin e vë në lajthim me çka e nxit të veprojë në dëm të pasurisë së tij, pasi që i dëmtuari aranzhon pushime për dy persona në Turqi në vlerë prej 1 mijë 430 euro, tek i pandehuri si pronar i kompanisë. I dëmtuari kishte deponuar në xhirollogarinë e të pandehurit shumën prej 800 euro, dhe pjesë tjetër prej 550 euro o njëjti ia dorëzon ërmes dikujt tjetër, po që i pandehuri përkundër pagesës asnjëherë nuk ia realizon rezervimin e lartcekur.

Për çka thuhet në akuzë që i akuzuari G.L, ka kryer vepër penale të “Mashtrimit”, nga neni 335 par.1, të KPRK-së, i cili parasheh dënimin me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë