5 vjet e gjysmë burgim me kusht dhe 900 euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për uzurpim të pronës në Prizren

Raporton: Samire BINAJ

Prizren- Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur akgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve për uzurpim të paligjshëm të pronës, asgjësim apo dëmtim të pasurisë dhe kanosje, duke i dënuar me 5 vjet e gjysmë burgim me kusht dhe 900 euro gjobë.

Aktgjykimi në këtë rast u shpall të martën nga gjykatësi Luan Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, ndaj të akuzuarit A.K, për tri veprat penale gjykata ka shqiptuar dënim unik prej 1 viti burgim me kusht dhe 300 euro gjobë.

Për të akuzuarit Rr. dhe K.K, gjykata ka shqiptuar nga 9 muaj burgim me kusht dhe nga 300 euro gjobë (për secilin veç e veç).

Për të akuzuarit K., R., S.  dhe G.K, gjykata për secilin veç e veç ka shqiptuar dënim me nga 9 muaj burgim me kusht.

Gjithashtu, sipas aktgjykimit të akuzuarit secili veç e veç, obligohen që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 20 euro, si dhe 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, lidhur me aktgjykimin e shpallur, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të akuzuarit K.K, avokati Gent Gjini ka thënë se ky aktgjykim është i padrejtë dhe kundërligjor, i cili nuk ka paraqitur në realitet gjendjen reale dhe faktike.

Ai shtoi se i mbrojturi i tij nga faktet dhe provat është vërtetuar se nuk është implikuar në veprat penale për të cilat akuzohet dhe se për këtë ai tha se do t’i përdor mjetet juridike.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 3 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë të akuzuarve për disa vepra penale të ndryshme.

Sipas dispozitivit 1 të aktakuzës, të akuzuarit Rr.K., K.K., R.K., S.K., G.K., A.K. dhe K.K. nga 24 qershori 2019 e në vazhdimësi, në Prizren, saktësisht në rrugën “Liman Shala”, në lagjen “Bajram Curri”, në vendin e quajtur “Buzagilak”, me dashje uzurpojnë pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në ngastrën kadastrale nr.06856-1 ZK Prizren, në sipërfaqe të përgjithshme në sipërfaqe prej 7790 m².

Tutje thuhet se edhe pse të njëjtit janë dëbuar prej pronës së paluajtshme me vendim të gjykatës – urdhrin përmbarimor të përmbaruesit privat, përkundër largimit nga kjo pronë dhe dorëzimit të pronës blerësit legjitim – të dëmtuarit E.K., si dhe ndalesës që kishin në procesverbalin e përmbaruesit privat të 18 korrikut 2019, me të cilin procesverbal iu është bërë e ditur që mos kenë qasje në pronën në fjalë, të pandehurit vendosin shtylla dhe bëjnë rrethimin e një pjesë të ngastrës me rrjetë, në dy pjesë prej të cilës është bërë nivelizimi me zhavor.

Kurse, thuhet se njërës prej tyre i është vendosur edhe betoni, po ashtu kanë shkarkuar edhe një sasi të tullave të betonit, të gjitha këto veprime me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme të pronës së paluajtshme, me ç’rast të dëmtuarit E.K. i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 320, par. 3 lidhur me par. 1, nenin 31, dhe nenin 77, i Kodit nr. 06/L-074 Penal të Kosovës (KPRK).

Ndërsa, sipas dispozitivit 2 të aktakuzës, i akuzuari A.K. më 24 qershor 2019, në Prizren, saktësisht në rr. “Liman Shala”, pas një fjalosje paraprake që kishte me të dëmtuarin E.K. rreth pronës të përshkruar në pikën I të dispoztivit, i njëjti fillimisht kishte tentuar ta sulmonte të dëmtuarin, mirëpo pasi që i dëmtuari ishte larguar, i dyshuari në shenjë revolte bën të papërdorshme pasurinë e personit tjetër, duke goditur me grusht xhamin e përparmë të automjetit të markës “Golf IV”, pronë e të dëmtuarit, të cilën e thyen, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material.

Më këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, par 1 të KPRK.

Ndërsa, sipas pikës 3 të dispozitivit të akuzuarit A.K, K.K. dhe Rr.K. më 24 qershor 2019, në periudhën kohore nga ora 10:00 – 19:00 në Prizren, në kohën kur përmbaruesi privat kishte dalë në ekzekutim të vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prizren, për lirimin e pronës nga uzurpimi, të pandehurit A.K., K.K. dhe Rr.K., seriozisht kanosin të dëmtuarit E.K dhe A.A, me fjalë se do t’i privojnë nga jeta.

Tutje thuhet se i pandehuri Rrustem Krasniqi të dëmtuarve Asaf Agallari dhe Enver Krasniqi iu drejtohet me fjalët “Do të shkojnë dy koka këtu nëse hyn dikush në këtë ngastër”, duke aluduar në të dëmtuarit, ndërkaq i pandehuri Artan Krasniqi, të dëmtuarit Enver Kabashi i kishte thënë: “pse e ke blerë këtë tokë, kemi me të vra, pse e ke blerë pronën”.

Më pas, aktakuza thotë se i pandehuri K.K, të dëmtuarit E. i kishte thënë: “ne jemi tridhjetë mashqi dhe ti nuk ke me gëzuar këtë pronë derisa unë të jem gjallë “, i njëjtë përmes mikut të dëmtuarit S.K. i kishte dërguar porosinë se: “të tërhiqet nga kjo pronë të cilën e ka blerë, nëse nuk tërhiqet ata janë tridhjetë mashqi dhe E. do ta pësojë me jetë”, i pandehuri Rr.K së bashku me A.K, kishin shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit E.K, duke i kërkuar të njëjtit që të tërhiqet nga prona të cilën e kishte blerë, veprime këto me të cilat tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.

Me këtë, secili veç e veç akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i KPRK- së /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë