47 punëtorë kërkojnë të paguhen për punët shtesë, KEK-u thotë se padia s’ka bazë juridike

A Gjykata (1)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Janar 13, 2020

Prishtinë – Me pretendimin se nuk po paguhen për punët jashtë orarit, festave zyrtare dhe pushimeve, 47 punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës ( KEK-u), tani paditës në këtë rast, në prill të vitit 2014, kishin ngritur padi ndaj institucionit ku punojnë.

Lidhur me këtë padi, të hënën, në  Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e shqyrtimit gjyqësor është vendosur që në shqyrtimin e radhës, të ftohet për t’u dëgjuar eksperti financiar Riza Blakaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për dëgjimin e këtij eksperti, ka propozuar përfaqësuesi i paditësve, avokati Osman Havolli, i cili ka thënë se është e nevojshme dëgjimi i ekspertit financiar, në mënyrë që të elaborohet ekspertiza financiare, e 25 marsit 2019.

Gjithashtu, propozimin e tij për dëgjimin ekspertit financiar, ai e ka arsyetuar edhe me faktin se Gjykata e Apelit, vendimet e marra pa dëgjimin e drejtpërdrejt të ekspertit në seancë gjyqësore, po i kthen në rigjykim.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i KEK-ut, Milot Podvorica, ka thënë e konteston bazën juridike të kërkesëpadisë, me arsyetimin se e paditura në raport me pagat mujore, vepron sipas dispozitave ligjore.

Lidhur me ekspertizën financiare, ai ka thënë se eksperti në kundërshtim me aktvendimin e 27 korrikut 2018, dhe pas bisedës me paditësit, ka pranuar pagesë shtesë për secilin paditës në lartësi prej 50 euro.

Gjithashtu, ai ka thënë se ky konstatim i dhënë nga eksperti financiar në ekspertizën e tij, është edhe në kundërshtim me rregulloren e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Pas këtyre pretendimeve, ai ka thënë se ekspertiza financiare është subjektive dhe ka kërkuar nga gjykata që atë mos ta pranojë si provë.

Gjykatësja e rastit, Mihane Ismaili, pas dëgjimit të palëve ndërgjygjëse, e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësve, që për seancën e radhës të dëgjohet eksperti financiar Riza Blakaj.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 12 shkurt 2020, nga ora 11:00.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 1 prill 2014, 47 punëtorët e KEK-ut, po kërkojnë që të paguhen për punët e kryera gjatë fundjavës, jashtë orarit, festave, ndërrimit të natës.

Në padi thuhet se paditësit më të paditurën kanë krijuar marrëdhënie pune me të drejta dhe detyrime të dyanshme.

Bazuar në padi, nga kontratat e datës 1 qershor 2013, të lidhur ndërmjet palëve ndërgjygjëse, shihet se e paditura KEK është e obliguar që punëtorëve të saj, e në këtë rast paditësve, ti paguaj për punët e tyre gjatë festave, jashtë orarit, fundjavës.

Bazuar në padi, këtë të drejtë paditësit e mbështesin në Kodin e Punës së Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në padi thuhet se me këtë veprim e paditura, paditësve, iu ka shkelur të drejtat e tyre të garantuara me Ligjin e Punës, kontratën e punës.

Prandaj, me anën e kësaj padie, 47 paditësit po kërkojnë nga e paditura Korporata Energjetike e Kosovës të paguhen për pagat shtesë të cilat rrjedhin nga punët e kryera gjatë festave, fundjavës, jashtë orarit. /BetimipërDrejtësi