400 euro gjobë ndaj ish-anëtarit të Bordit të drejtorëve në KRU “Gjakova”, nuk e deklaroi pasurinë me kohë

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Vilson Dura, ish-anëtar i Bordit të drejtorëve në K.R.U “Gjakova”, është dënuar me 400 euro gjobë, për akuzën se nuk e ka deklaruar pasurinë me kohë pasi i kishte përfunduar mandati.

Sipas aktgjykimit të përpiluar nga gjykatësja Ilirjana Hoti, gjobën i akuzuari është obliguar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kështu, kjo gjykatë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë që ndaj Durës të shqiptohet urdhri ndëshkimor, përkatësisht dënimi me gjobë, ashtu që gjykata ka nxjerrë aktgjykim pa u mbajtur shqyrtimi gjyqësor.

Në arsyetim të aktgjykimit thuhet se shkresat e lëndës janë prova të mjaftueshme me të cilat argumentohet se i akuzuari është kryes i veprës penale

Gjykata ka gjetur se me rastin e shqyrtimit paraprak të këtij rasti konform nenit 495 të Kodit të Procedurës Penale ka gjetur se janë plotësuar kushtet nga dispozita e nenit 493 të po këtij kodi dhe pa mbajtur shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit ka shqiptuar urdhërin ndëshkimor.

Këtë aktgjykim i akuzuari mund ta kundërshtojë në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së të njëjtit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, thuhet se Vilson Dura, nga 1 korriku 2021 e deri më 30 korrik 2021, në cilësinë e anëtarit të bordit të drejtorëve të K.R.U “Gjakova” Sh.A, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, brenda afatit prej 30 ditësh  pas mbarimit nga detyra e anëtarit të bordit të drejtorëve, ashtu siç është e paraparë me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave, obligim ky i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik, përkundër faktit se ka qenë i njoftuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë