40 ditë paraburgim ndaj shtetasit bullgar që kërkohet nga Interpoli për krim të organizuar e huliganizëm të kryer në Belgjikë e Bullgari

27.11.2019 (1)
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Nëntor 27, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 ditëve shtetasit bullgar, tani të pandehurit K.K, i arrestuar nga Policia e Kosovës më 25 nëntor në Çagllavicë.

Masa e paraburgimit ndaj K.K është kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me qëllim të konkretizimit të ekstradimit, pasi që ndaj K.K ishin lëshuar dy urdhër kërkime ndërkombëtare nga INTERPOL-i, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtyre urdhër kërkimeve, K.K dyshohej se kishte kryer veprën penale “krim i organizuar në grup” në shtetin e Belgjikës si dhe për shkak të kërkesës së Shtetit të Bullgarisë për vuajtje të dënimit në kohëzgjatje prej 3 vite e gjashtë muaj, i dënuar nga Gjykata Rajonale e Plovdivit për huliganizëm dhe lëndim të lehtë trupor, të dyja këto vepra të sanksionuara edhe sipas legjislacionit tonë.

Caktimi i masës së paraburgimit ndaj të pandehurit K.K është bërë nga gjykatësja e Departamentit Special, Albina Shabani-Rama, pasi paraprakisht këtë të martë është mbajtur seanca dëgjimore ndaj tij.

Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” rezulton se, paraburgimi është caktuar me arsyetimin se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 187, paragrafin 1, nën paragrafin 1.1 të KPPRK-së dhe neneve 20, 21 dhe 22 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.

Pra sipas këtij vendimi, dyshimi i bazuar se i pandehuri K.K kishte kryer veprat e lartcekura arsyetohej në bazë të kërkesës për ekstradim të ushtruar pranë Interpolit nga autoritetet e shtetit të Belgjikës më 27 mars 2019, si dhe ajo e ushtruar nga Shteti i Bullgarisë për arrestim dhe ekstradim më 26 qershor të këtij viti.

Gjykata ka vlerësuar se ishte plotësuar edhe kriteri i inkriminimit të dyfishtë, pasi që veprat penale mbi bazën e të cilave ishte ndaluar K.K, sikur në shtetet kërkuese ato janë të dënueshme edhe sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës.

Gjykatësja Shabani-Rama ka vlerësuar se ishte përmbushur edhe kushti i veçantë për caktimin e paraburgimit-rreziku i ikjes, ngase bazuar në urdhër arrestet e lëshuara nga Interpoli, rezulton se i pandehuri i është shmangur qëllimisht ballafaqimit me drejtësinë penale në shtetet ku ka kryer vepra penale.

Një masë e tillë ndaj të pandehurit K.K është arsyetuar edhe me qëllim të sigurimit të prezencës së tij dhe zhvillimit me sukses të procedurës penale dhe asaj të ekstradimit, derisa autoritetet e shteteve kërkuese të ushtrojnë lutjen për ekstradim pranë autoriteteve të Kosovës.

Kundër vendimi për caktimin e masës së paraburgimit është e lejuar ankesa në afatin prej 24 orëve nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktvendimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në këtë seancë dëgjimore, prokurori i PSRK-së Valdet Gashi ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit K.K.

Sipas prokurorit Gashi, paraburgimi është kërkuar nga prokuroria me qëllim të konkretizimit të ekstradimit, bazuar në kërkesat e ushtruara në drejtim të Interpolit nga shteti belg dhe ai bullgar, për arrestimin dhe ekstradimin e të pandehurit.

Prokurori Gashi ka theksuar se paraburgimi arsyetohet nga fakti se është përmbushur dyshimi i bazuar si kriter bazë dhe fakti se i pandehuri i është shmangur drejtësisë së autoriteteve kompetente, për çka të njëjtat kanë bërë kërkesë për urdhër arrest ndërkombëtar.

Kërkesën për caktimin e kësaj mase e ka kundërshtuar mbrojtësja e caktuar sipas detyrës zyrtare për të pandehurin K.K, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.

Avokatja Gashi-Bytyqi ka kërkuar që ndaj klientit të saj të caktohej arresti shtëpiak, si masë më e arsyeshme, derisa ky i fundit të ekstradohet drejt shtetit bullgar apo belg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kundërshtoj kërkesën e prokurorit special që klientit tim ti caktohet masa e paraburgimit si masë më e rëndë për sigurinë e të pandehurit në procedurë, duke e lutur gjykatën që të njëjtit ti caktohet një masë e arrestit shtëpiak, ngase i njëjti jeton dhe vepron në Llapnasellë, andaj konsideroj se masa e arrestit shtëpiak është e domosdoshme, e arsyeshme, derisa i njëjti të ekstradohet drejt shtetit bullgar apo atij Belg”, ka thënë avokatja.

I pandehuri K.K ka mbështetur deklarimet e mbrojtëses së tij, duke i ofruar gjykatës dëshminë mbi adresën e tij të banimit, për të arsyetuar se do ta respektonte arrestin shtëpiak nëse i caktohej nga gjykata.

“Unë mbes në tërësi pranë fjalëve të zonjës avokate. Dua t’ia dorëzoj gjykatës edhe dëshminë me të dhënat e adresës time ku tani jetoj në fshatin Llapnasellë, aty e kam edhe biznesin dhe me këtë dua të dëshmoj se do ta respektoj masën e arrestit shtëpiak nëse ma cakton gjykata”, ka thënë i pandehuri. /Betimipërdrejtësi