4 vite burgim dhe 5 mijë e 500 euro gjobë ndaj të akuzuarve për vjedhjen e të dhënave bankare, ku u përfituan mbi 70 mijë euro

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan- Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve  L.I., L.Sh., L.M., për vjedhjen e të  dhënave bankare, duke i dënuar me 4 vite burgim dhe 5 mijë e 500 euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të premten nga gjyqtari Naser Maiqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit të akuzuarit L.I., për veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike” i është shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 2 mijë e 500 euro dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 vite.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit L.I do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim prej 4 gushtit 2015 deri më 30 nëntor 2015.

Ndaj të akuzuarit L.Sh., për veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, është shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim prej 4 gushtit 2015 deri më 30 nëntor 2015.

Sipas aktgjykimit, ndaj të akuzuarit L.M., për veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, është shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro dhe dënim me burg prej 1 viti, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim prej 4 gushtit 2015 deri më 30 nëntor 2015.

Për tre të akuzuarit, dënimet në fjalë do të ekzekutohen pas kalimit të afatit prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit L.I., i janë konfiskuar: një laptop HP, një kompjuter HP Compaq, kompjuter LG, laptop Lenova, CD Princo, Iphone 6, Samsung, dy kartela bankare, laptop HP, laptop Asus dhe laptop Samsung.

Të njëjtit i janë konfiskuar edhe 2 bankënota nga 100 euro, 16 bankënota nga 50 euro, në shumë të përgjithshme prej 1 mijë euro

Ndërsa, të akuzuarit L.M., i janë konfiskuar: CD të ndryshme pa mbishkrim, SD Karten, kartela bankare, të cilat do të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Tutje, të akuzuarit L.Sh., i është konfiskuar shuma e parave prej 4 mijë e 500 euro, të cilat pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi do të derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, të akuzuarit L.Sh i konfiskohen dy DVD, gjashtë USB, dy telefona Samsung, një Iphone S4, dy laptopë Lenovo, një adapter i hardiskut të jashtëm, një telefon Nokia dhe një telefon Sony Ericson.

Tre të akuzuarit obligohen që secili veç e veç, në emër të paushallit gjyqësor të paguajë nga 200 euro dhe nga 50 euro për viktimat e krimit, kurse shpenzimet e procedurës sipas llogarisë përfundimtare

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Ndryshe, lënda ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 12 dhjetor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit L.I., me arsyetimin se nga viti 2007 deri në gusht të vitit 2015, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në kompjuterët e shfrytëzuesve të internetit kryesisht në SHBA, përmes kompanisë YAHOO, duke kopjuar, vjedhur të dhëna të ndjeshme, si të dhënat për llogari bankare dhe këto të dhëna i ka arkivuar në një server të veçantë, ashtu që ka përdorur ueb-faqen e krijuar për shitjen e programeve të ndryshme për infektimin me virus të kompjuterëve.

Tutje thuhet se i pandehuri në fjalë ka krijuar faqe www.toolshop.bz të cilën edhe e ka menaxhuar, e në të cilën i ka të dhënat i pandehuri si numri i telefonit mobil, adresa e shtëpisë dhe disa e-mail adresa, i ka shitur tek personat e tjerë dhe për shitjen e programeve keqbërëse ka pranuar pagesa nga shtetas të shteteve të ndryshme si Kina, Amerika, Rusia, Ukraina etj, përmes Wester Union dhe Money Gram duke përfituar shumën prej 73 mijë e 477 euro e 18 centë, duke pranuar në emër të tij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me këto veprime, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Hyrje në sisteme kompjuterike”, nga neni 339, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe veprës penale nga neni 13 paragrafi 3 dhe neni 15, paragrafi 1 të “Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik”, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i pandehuri L.I., përmes programeve keqbërëse i ka kopjuar të dhënat e kartelave bankare, përmbajtjen e shiritit magnetik, fjalëkalimet dhe në këtë mënyrë ka bërë tregti të kartelave në forume, ka bërë kredi të kredencialeve në forume si Skype, Chatroulette, Msn, Yahoo Mesenger, Mail.ru etj; me ç’rast i njëjti ka pasur disa llogari bankare për pagesë përmes internetit siç janë: PayPal, Ebay, Money Gram etj.

Në këtë mënyrë, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, nga neni 293, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e 2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje sipas dispozitivit të tretë, i pandehuri L.I., me qëllim të fshehjes së tërësishme nga pagesat e tatimit dhe kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, përkundër që në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës më 13 dhjetor 2011 ka regjistruar biznesin NTSH “Natur Med”, të hyrat për tri vite kanë qenë 73 mijë e 477 euro e 18 centë dhe për këtë qarkullim obligime tatimore të shmangura janë shumat prej 8 mijë e 795 euro e 35 centë dhe në këtë mënyrë ka përfituar për vete, ndërsa i ka shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës shumën e lartcekur.

Me këto veprime, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 313, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri L.Sh, thuhet se nga viti 2014 deri më 4 gusht 2015 ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike dhe ka përdorur programe të ndryshme dhe ka arritur të vjedhë informata të kredit kartelave dhe më pastaj këto informata i ka shfaqur në një ankand online përmes mesengerit të Yahoo-së, dhe disa nga këto i ka tërhequr në Zvicër përmes H.K, ku në pajisjet elektronike të sekuestruara nga i pandehuri në bazë të ekspertizës së ekspertit të Inxhinierisë Kompjuterike janë gjetur kredenciale nga e mbarë bota SHBA, Gjermani, Australi etj, së bashku me fjalëkalimet, gjë që mundësojnë qasje në këto e-maile pa lejen e pronarit.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se si palë e dëmtuar paraqiten palët që janë dëmtuar sipas IP adresës, bizneset që kanë pasur të hostuar shërbimet e tyre në server si dhe personat fizik- qytetarë kredit kartelat e të cilëve janë listuar në këto fajlle.

Në këtë mënyrë, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”, nga neni 339, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe veprën penale nga neni 13, paragrafi 3 dhe neni 15, paragrafi 1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Sipas dispozitivit të pestë të aktit akuzues, i pandehuri L.SH., , përmes programeve keqbërëse i ka kopjuar të dhënat e kartelave bankare, përmbajtjen e shiritit magnetik, fjalëkalimet dhe në këtë mënyrë ka bërë shitje-tregti të kartelave në forume, ka bërë kredi të kredencialeve në forume nga dëshmitë e prezantuara me ç’rast i njëjti ka pasur disa llogari bankare për pagesë përmes internetit siç janë: BitCoin, Ebay etj me çka ka bërë tregti të kredencialeve në forume të ndryshme si Skype, QQ, Yahoo, Messenger etj.

Me këto veprime, ngarkohej ai ka kryer veprën penale “Falsifikim i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, nga neni 293, paragrafi 4 lidhur me nenin 1 e 2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri L.M., ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike dhe ka arritur të ketë qasje në kompjuterët e serverët e shtetasve të huaj dhe nga ata ka arritur të vjedhë informata të kredit kartelave, dhe më pastaj këto informata i ka shfaqur në një ankand online përmes mesengerit të Yahoo-së.

Po ashtu, thuhet se në bazë të ekspertizës së ekspertit të inxhinierisë kompjuterike, janë gjetur gjetur folderë “Downloads” që përmban mbi 49 fajlle (dokumente) në të cilat në total janë afër 10 mijë kredenciale me të cilat mundësohet qasja e papenguar në server, ku si të dëmtuar paraqiten të gjitha palët që janë listuar përmes IP adresës, bizneset që kanë pasur të hostuar shërbimet e tyre në server dhe personat fizik qytetarë kredit-kartelat e të cilëve janë të listuar në këto fajlle.

I njëjti, me këto veprime ngarkohej se ka kryer veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”, nga neni 339, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe veprës penale nga neni 13, paragrafi 3 dhe neni 15 paragrafi 1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet

Sipas dispozitivit të shtatë, i pandehuri L.M., , përmes këtyre programeve keqbërëse nga largësia i ka kopjuar të dhënat e kartelave bankare, përmbajtjen e shiritit magnetik, fjalëkalimet dhe në këtë mënyrë ka bërë shitjen e kredit kartelave në forume, ku i akuzuari ka pasur disa llogari bankare për pagesë përmes internetit siç janë: PayPal, Ebay, Fedex, Walmart etj, me ç’rast ka bërë tregti të kredencialeve të ndryshme në forume si Skype, Chatroulette, Msn, Yahoo messenger etj.

Në këtë drejtim, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, nga neni 293, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e 2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë