38 VJET BURG PËR TË AKUZUARIT PËR RASTIN E NJOHUR TË VRASJES NË RESHTAN
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, janë shpallur fajtorë të akuzuarit Fadil Shala, Enver kryeziu dhe artan kryeziu, të cilët akuzoheshin për vrasjen e Burim Kryeziut, gjatë një përleshjeje familjare.
Kryetari i trupi gjykues, Skender Çoçaj, ka shpallur aktgjykimin, me të cilin, të pandehurit i ka gjetur fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe i ka dënuar me dënim total prej 38 vitesh, Fadil Shalën e ka dënuar me 14 vite burgim, ndërsa Enver dhe Artan Kryeziun i ka dënuar me nga 12 vite burgim, për secilin, në këtë dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga të dënuarit dhe ka vendosur që për të njëjtit të vazhdohet paraburgimi derisa ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.
Në Gusht të vitit 2012, kishte ndodhur një rrahje në mes Nuhi Kryeziut me familje, në njërën anë dhe familjeve të vëllait të tij Jonuz Kryeziut e dhëndrit Izet Shalës, në anën tjetër, në të cilën përleshje kishte mbetur i vdekur djali i Nuhiut, Burim Kryeziu.
Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Prizren, në vitin 2014, i kishte gjetur fajtor të akuzuarit, andaj Fadil Shalën e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh, ndërsa, Enver dhe Artan Kryeziun i kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 13 vitesh, për secilin.
Gjykata e Apelit, me aktvendim të datës 25.02.2015, e ka prishur vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer në ri-gjykim, me arsye se nuk është vërtetuar saktë gjendja faktike, dhe ka rekomanduar që në rigjykim të caktohet trup i ri gjykues dhe të bëhet super-ekspertizë me të cilën do të përcaktohet se cila goditje ka qenë vdekjeprurëse për të ndjerin.