36 VJET BURGIM PËR KATËR TË AKUZUARIT NË RASTIN E VRASJES SË SKENDER LIMAJT, I PESTI SHPALLET I PAFAJSHËM
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren- Trupi gjykues i përbërë gna dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendor, të enjtën ka shpallur fajtor katër të akuzuarit Emin, Durim, Berat dhe Hazir Krasniqi për vrasjën e Skender Limajt. Ndërkaq, i akuzuari i pestë në këtë rast, Astrit Krasniqi, është liruar nga akuza në mungsë të provave.
Kryetari i trupit gjykues, Piotr Bojarczuk, ka shpallur aktgjykimin, me të cilin, katër të pandehurit i ka gjetur fajtor për veprën penale “vrasje e rëndë”, dhe të njëjtit i ka dënuar me dënim me burg në total prej 36 vitesh. Të akuzuarin Emin Krasniqi e ka dënuar me 22 vite burgim, Berat Krasniqin me 8 vite burgim, Hazir Krasniqin me 5 vite burgim dhe Durim Krasniqin me 1 vit burgim. Në këtë dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga të dënuarit, si dhe do të konfiskohet arma AK 47 dhe vetura AUDI A6, si mjete të përdorura në këtë krim.
Në qershorin e vitit 2011, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Emin, Durim, Berat, Astrit dhe Hazir Krasniqi, me arsyetimin se me datën 01.01.2011 rreth orës 19:40, kanë shkuar në restorantin “Kështjella” në të cilën kanë shkëmbyer të shtëna me familjen Limaj, duke plagosur Azem e Ilir Limajn dhe duke vrarë Skender Limajn. Me këto veprime, sipas prokurorisë, ata kanë kanë kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “shkaktim i lëndimeve të rënda trupore” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Më 21 Mars 2012 kishte nisur gjykimi i të pandehurve në Gjykatën e Qarkut në Prizren ndërsa me 23 Gusht 2013 një panel i përzier prej dy gjyqtarëve të Eulex-it dhe një vendor, i kishte shpallur fajtor të akuzuarit me një dënim në total prej 35 vitesh burgim. Mirëpo, më 24 Tetor 2013, Gjykata e Apelit e kishte prishur këtë aktgjykim dhe e kishte kthyer në rivendosje. Pas disa muajsh, më 6 Shkurt 2014 kishte filluar ri-gjykimi me panel përsëri të përbërë prej dy gjyqtarëve të Eulex-it dhe një gjyqtari vendor.