3000 EURO GJOBË ISH-AVOKATIT TË KOMUNËS SË GJAKOVËS

Raporti: Gita LUSHI

Gjakovë – Ish-avokati publik i Komunës së Gjakovës, Afrim Radoniqi, i cili akuzohej për tri vepra penale, u dënua me 3000 euro gjobë për veprën penale “ Konflikt interesi”.

Radoniqi nuk ishte prezent në seancën e së hënës për të dëgjuar verdiktin e trupit gjykues të  Gjykatës Themelore në Gjakovë ndaj tij.

Ndërsa trupi gjykues në krye me gjyqtarin, Artan Sejranin, shpalli të pafajshëm dhe liroj Radoniqin nga dy veprat tjera penale, “Shpërdorimi i detyrës zyrtare” dhe “Falsifikim dokumenti”.

Gjykata po ashtu obligoj të pandehurin që të paguaj paushallin gjyqësor në vlerë prej 500 euro.

Ndryshe, i pandehuri Afrim Radoniqi vazhdimisht ka pohuar se i gjithë procesi gjyqësor ndaj tij është i motivuar politikisht. Ai gjatë fjalës përfundimtare ka drejtuar akuza  ndryshme ndaj prokurorin të rastit Agron Matjani,  duke e quajtur atë servil dhe të ndikuar politikisht.

Prokuroria Themelore në Gjakovë akuzonte Afrim Radoniqin se më 17 prill 2009 si person zyrtar – avokat publik i KK Gjakovë, me qëllim të përfitimit pasuror, i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjakovës duke nënshkruar marrëveshjen për kompensim, me të cilën familjes Kastrati,  ua ka dhënë  ngastrën e Komunës së Gjakovës me sipërfaqe prej 0.16.74 hektar, në emër të kompensimit të pronës së eksproprijuar nga KK Gjakovë. Sipas aktakuzës, familja Kastrati ishte kompensuar në vitin 1984 me tri troje në Gjakovë. I akuzuar Radoniqi, duke qenë avokat publik i Gjakovës, i njëjti ushtron në mënyrë të kundërligjshme detyrën e avokatit privat duke vulosur kontratën e shitblerjes së palujtshmërisë së lartcekur, duke kryer kështu veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Pika dy e aktakuzës të akuzuarin Radoniqi e ngarkon me veprën penale “konflikt i interesit”, pasi që në periudhën kohore gjatë vitit 2012 – 2013, si person zyrtar avokat i KK Gjakovë, merr pjesë në përfaqësimet e tij në gjykatat e Kosovës për interesa financiare edhe pse kishte pezulluar punën e tij si avokat privat në Odën e Avokatëve të Kosovës, ka vazhduar të punoj si avokat gjë që bie ne konflikt me detyrën e tij si avokat publik në KK Gjakovë. Pika tre e aktakuzës të akuzuarin Radoniqi e ngarkon me veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”, pasi që me 9 janar 2014, në cilësinë e avokatit publik në Komunën e Gjakovës, si person zyrtar, në shkresat zyrtare shënon të dhëna të rreme me nënshkrimin e tij, në atë mënyrë që ka lëshuar vërtetimin me të cilin vërteton se Milojko Satariç, ishte drejtor gjeneral i ndërmarrjes “Vodoprivedno Preduzeqe Metohija” me seli në Prizren, nga 22 tetori 1982 e deri me 30 nëntor 1997 edhe pse sipas certifikatës së vdekjes të 4 shtatorit 2014, i njëjti ka vdekur me 17 maj 1995 në Beograd.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë