300 euro gjobë me kusht ndaj të akuzuarit se në gjendje të dehur shkaktoi aksidentin ku u lëndua bashkëshortja e tij

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Avni Grozda për veprën penale “Ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Grozda u shpall nga gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur, i akuzuari Grozda është dënuar me 300 euro gjobë me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në afatin e verifikimit prej një viti për veprën penale që i vihet në barrë.

I njëjti është obliguar të paguajë shpenzimet në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro dhe 30 euro në emër të kompensimit për viktimat e krimit.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 29 mars 2022, i akuzuari kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën po akuzohej.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 nëntor 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avni Grozda më 1 tetor 2018, në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën e tipit “Opel Zafira”, ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion , pasi që ka qenë në ndikim të alkoolit.

Si pasojë e kësaj, i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore pasagjeres-bashkëshortes së tij F.G, si dhe ka shkaktuar dëm material.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur” nga neni 379, par.2 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë