300 euro gjobë me kusht ndaj të akuzuarit për armëmbajtje pa leje

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan-Gjykata Themelore në Gjilan ka shqiptuar aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit B.B., për armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me dënim me gjobë prej 300 euro, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti nuk do të kryej ndonjë vepër tjetër penale.

Shpalljen e aktgjykimit e bëri gjyqtari Aziz Shaqiri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjatë shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës nga prokurorja, Bahtie Ademi, i akuzuari B.B. e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet nga prokuroria.

I njëjti tha se e ndjen veten fajtor me arsyetimin se kur e kishte blerë veturën, thika kishte qenë në veturë.

Prokurorja Ademi nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë, ndërsa gjyqtari Azizi ka aprovuar pranimin e fajësisë me arsyetimin se janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara ligjore për pranim të fajësisë

Tutje, prokurorja Ademi në fjalën përfundimtare i ka propozuar gjykatës që për llojin dhe lartësinë e dënimit t’i vlerësoj të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

I akuzuari B.B. ka kërkuar nga gjykata shqiptimin e një dënimi sa më të butë.

Sipas aktakuzës, në kohë të papërcaktuar e deri më datë 8 maj 2022, në ora 12:10 min, ka siguruar dhe mbajt në pronësi në mënyrë të paautorizuar një armë të ftohtë (thikë taktike), në atë mënyrë që me të hyrë i pandehuri në vendkalimin kufitar Stanqiq, me automjetin e markës “VW Pasat”, ngjyrë hiri, me targa të regjistrimit 06-839-BU, në vijën e dytë nga doganierët ndalet për kontroll, me ç’rast gjatë kontrollit në pjesën e përparme të veturës afër ndërruesit të shpejtësisë, është gjetur një armë e ftoftë (thike), e cila është konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Me çka ka kryer veprën penale, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar” nga neni 366 par.1 të KPRK-së, e dënueshme me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë