30 DITË PARABURGIM PËR TË DYSHUARIN NË RASTIN E VRASJES SË DAFINA ZHUBIT
Raporton: Gita LUSHI
Prishtinë – Astrit Dibrës i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit të përfshirë në vrasjen e Dafina Zhubit. Vendimi për caktimin e paraburgimit është konfirmuar nga Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi. “Gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar paraburgimin ndaj të pandehurit Astrit Dibra. Paraburgimi është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj llogaritur nga data 17 shkurt 2016”, thuhet në përgjigjen për “Betimin për Drejtësi” të dhënë përmes postës elektronike nga kryetari Ibrahimi.
Prokurori i rastit Ilaz Beqiri, ka konfirmuar se hetimet ndaj të dyshuarit po vazhdojnë. “Është e vërtetë se i arrestuar nën dyshimin për përfshirje në këtë rast është Astrit Dibra. Ne jemi duke vazhduar hetimet”, është shprehur prokurori.
Policia përmes komunikatës për media, ka njoftuar se më 17 shkurt, në orën 09:40, policia kishte marrë informacionin për një rast të vdekjes së dyshimtë në lagjen “Emshiri” në Prishtinë. Policia kishte dalur në vendin e ngjarjes dhe ekipet kishin konstatuar se viktima kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Sipas policisë, një armë zjarri, e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast, është gjetur në vendin e ngjarjes dhe e njëjta është sekuestruar.
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me mjekun ligjor Arsim Gërxhaliu, i cili ka thënë se ekipet e mjekësisë ligjore janë duke kryer raportin mbi shkaktarin dhe rrethanat e vdekjes së viktimës, por ende nuk ka përfunduar. Ndërkaq, arma e gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar për ekspertizë balistike.
Ende nuk dihen shkaktarët e saktë të kësaj vdekje dhe motivet që kanë shkaktuar vdekjen e Dafina Zhubit.